Çka po ndodh me 100 eurot e premtuar për punëtorët e sektorit privat?

- in Lajme

Punëtorët e sektorit privat nuk i morën 100 eurot e Qeverisë as pas gati një muaji

Para gati një muaji, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e shtesave prej 100 euro për studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe atij publik. Pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik i kanë marrë këto shtesa, por jo edhe studentët e punëtorët e sektorit privat. Ministria ende s’ka dhënë ndonjë datë të saktë se prej kur do të fillojnë të shpërndahen shtesat nëpër xhirollogari.

Punëtorët e sektorit privat dhe studentët ende nuk i kanë marrë 100 eurot , të cilat iu premtuan nga kryeministri Albin Kurti, më 12 prill.

Shtesat deri tash u kanë dalë vetëm pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit publik.

Datë të saktë se kur do t’iu dalin paratë në xhirollogari kategorive të tjera, s’është dhënë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar në fund të prillit se gjatë javës së parë të majit pritet të fillojë verifikimi i aplikimeve për këto para. Njoftim tjetër nga Ministria më s’ka pasur.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në këtë institucion për të marrë informacione se kur do të fillojnë t’iu shpërndahen këto para qytetarëve, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka pranuar përgjigje.

Aplikimi për këto shtesa për punëtorët e sektorit privat është hapur më 21 prill. Ata që duan të aplikojnë për to, kanë afat që ta bëjnë këtë edhe 10 ditë.

Në njoftimin për hapje të aplikimit, Ministria kishte paralajmëruar qytetarët se nëse të dhënat janë të pasakta, ata s’do të mund të përfitojnë nga subvencionimi.

“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta, dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi.

Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟐. Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

Ndërkohë, aplikimi për studentët është hapur të shtunën. Ata kanë të drejtë të aplikojnë deri më 3 qershor.

“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të aplikuesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi.

Vëmendje: Studentët të cilët kanë përfituar nga ndonjë prej masave të prezentuara nga Qeveria në kuadër të mbështetjes shtesë për qytetarët nga 100 euro, nuk mund të përfitojnë sërish”, thuhej në njoftim.

Ndryshe, vendimi për ndarjen e 100 eurove shtesë ishte marrë më 12 prill.

Për këto shtesa kishte njoftuar kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës. Pensionistëve do t’u ndahen nga 100 euro shtesë për muajin prill, dhe do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension. Për herë të parë, do të mbështesim me 100 euro të gjithë punëtorët e sektorët privat. Në kuadër të kësaj pako do të ndahen edhe nga 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Për herë të parë, do të mbështeten të gjithë studentët nga 100 euro. 80 mijë student do të përfitojnë nga kjo…Vlera totale e kësaj është mbi 100 milionë euro, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje”, kishte deklaruar Kurti./Gazeta Express