Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, paralajmëronte përpara se kryeministri aktual, Albin Kurti, të merrte këtë post se ky i fundit do ta takonte presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa ndonjë kusht.
Veseli, në një emision në Klan Kosova, përmendte deklaratat e atëbotshme të Kurtit, kur thoshte se nuk do të takohej me Vuçiqin pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“Ka me ju mashtru. Ka me ju mashtru edhe për dialogun. Albin Kurtin ka me pranu me u taku me asnjë kusht me Vuçiqin dhe ka me t’u taku n’tu bëftë kryeministër. Mbajëm për fjale mu. A i ke pa ato deklaratat, cilado, “s’takohna pa kërku falje”. Mbajini në mend ato, ka mu taku pa asnjë kusht”, deklaronte ai.
Kurti duket se hoqi dorë nga parimet e tij mbrëmë. Ky i fundit, me ndërmjetësim të përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, takoi të mërkurën mbrëma Vuçiqin.
Takimi u realizua në Berlin, ku Kurti dhe Vuçiq takuan të mërkurën edhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Për takimin e Kurtit me Vuçiqin pati reagime të shumta, që përkujtonin parimet e kryeministrit aktual gjatë kohës sa ishte në opozitë për takimet me delegacionin serb. /Lajmi.net/