Ky është mashtruesi 54-vjeçar që ra në prangat e Policisë, i premtoi prishtinasit banesë

- in Lajme

Gazeta Sinjali sot raportoi për arrestimin e një 54-vjeçari që u kap pas disa muajsh hetime si i dyshuar për mashtrimin e një qytetari në Prishtinë, duke u prezantuar si punëtor i Shoqatës Humanitare “Karitasi Zviceran”.  

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i dyshuari që u arrestua pasi mashtroi një qytetar, duke i premtuar një banesë të 62 mijë eurove është Basri Haliti.

Haliti u prezantua si pjesë e kësaj shoqate humanitare dhe mashtroi qytetarin në muajin qershor të vitit të kaluar. Por viktima e raportoi të njëjtin gati një vit më vonë, në fillim të muajit janar të këtij viti.

Pas hetimeve disa mujore, Policia arriti ta arrestojë të dyshuarin, i cili më pas u dërgua në stacion policor për të dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin për të cilin u denoncua.

Burimet e  Sinjalit kanë bërë të ditur se gjatë intervistimit, i dyshuari e ka pranuar se e ka mashtruar viktimën, duke mos mohuar asgjë për rastin.

Ndaj të njëjtit, prokurori kujdestar ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, në Qendrën e Ndalimit në Drenas.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.