Shefi i burgut-kandidates për police: Kur do të ma prezantosh ndonjë shoqe

- in Lajme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra Lorenc Brahon shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, pas transmetimit në emisionin “Stop”, të një rasti ku dyshohet për abuzim me detyrën.

“Pas transmetimit në emisionin e sotshëm “Stop”, të një rasti ku dyshohet për abuzim me detyrën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra komisar L. B., shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë. Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj këtij punonjësi policie, për shkelje të rëndë. Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën apo sjellje të pahijshme të punonjësve të Policisë dhe i inkurajon që të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuziv që mund të kryejnë punonjës policie, sepse Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj çdo abuzues me detyrën dhe besimin e qytetarëve”, njofton policia.

Një nënë e divorcuar denoncoi shefin e krimeve dhe publikoi një bisedë me të, ku Braho i kërkonte t’i prezantonte ndonjë vajzë në këmbim të përgjigjes pozitive pas konkurrimit të saj për police burgu.

Shefi i Krimeve në Komisariatin e Divjakës sipas procedurës ka dërguar informacion negativ tek burgjet për kandidaten. Në fakt, dënimi i vëllait të kandidates për trafik klandestinësh e ka penalizuar njëherë atë kur kërkoi të bëhej police shteti.

Ndaj në këtë rast, gruaja para se të regjistrohej në konkursin ku dhe u certifikua u konsultua dhe iu tha se nuk i prishte punë rasti i të vëllait.