Kushdo që arrin ta gjejë kryetarin Përparim Rama në Konventën Programore të partisë së tij, pra Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], në fotografinë që mund ta shikoni më lart, atëherë shumë mirë – por ne nuk po e shohim.
“Në këtë Konventë janë të ftuar të gjithë Delegatët e Kuvendit të LDK-së, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, anëtarët e Kryesisë, kryetarët dhe Kryesitë e Degëve, deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, kryetarët e Komunave nga radhët e LDK-së, asambleistët e Kuvendeve Komunale, grupet e ekspertëve, themelues dhe strukturat e tjera të Lidhjes Demokratike të Kosovës.”
Kështu njoftonte LDK-ja në prag të hapjes së Konventës Programore, në të cilën përveç parisë kryesore ftoheshin edhe kryetarët e komunave.
Por jo krejt kryetarët iu përgjigjen kësaj ftese. Mungoi kryesori, Përparim Rama, i cili si duket nuk e gjeti veten tek njoftimi më lart – “kryetarët e Komunave nga radhët e LDK-së”.
Për dy ditë sa zgjati, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk mori pjesë në këtë konventë dhe nuk u pa askund në panelet që organizoi LDK-ja e që ishin pjesë e programit të Konventës.
Burime të Nacionales tregojnë se Rama i ka thënë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, që mos ta ftojë më në këso ngjarje të ‘kota’.
E në këtë konventë, Ramën ndoshta mund të themi se e ka përfaqësuar Alban Zogaj, që është nënkryetar i Prishtinës dhe person i afërt me kryetarin Abdixhiku.
Zogaj në kuadër të Konventës ka folur për “Zhvillimin, Arsimin dhe Shëndetësinë”, dhe citohet të ketë thënë kështu: “Shkurtimi i madhësisë së shtetit në ndërhyrje ekonomike, domosdoshmëri e orientimit tonë të djathtë.”
Në bazë të njoftimeve që i ka bërë LDK-ja, kryetarë të komunave të tjera nga radhët e LDK-së, shihen se kanë respektuar thirrjen e partisë.
Nuk dihet deri më tani se cili do të jetë ndëshkimi për mungesën e Ramës në këtë Konventën Programore, e cila ka fort rëndësi për partinë.
Një përplasje RAMA-ABDIXHIKU?
Në muajin prill, gazeta Nacionale kishte raportuar se punët mes Ramës dhe Abdixhikut nuk janë edhe fort mirë.
Mes tyre ka filluar një përplasje, pasi që Rama e konsideron veten si kandidat i pavarur, edhe pse kryetar i komunës u bë me numër e me shkronja të LDK-së.
Nacionale pati raportuar se Rama gjatë gjithë kësaj kohe edhe është sjellë si kandidat i pavarur.
“Të gjithë janë nervoz me të”, i kishte thënë Nacionales një burim brenda LDK-së, duke shtuar se nervoza me Përparimin nuk ka të bëjë vetëm me faktin që ai më shumë ndihet i pavarur sesa pjesë e LDK-së, por edhe me faktin se sa avash i ka marrë detyrat e të parit të Prishtinës.
Po ashtu, sipas këtij burimi, edhe vetë kryetari Abdixhiku është në telashe me të.
“Nuk është i sigurt nëse mund të komunikojë me të, siç komunikon kryetari i partisë me një kryetar komune”, kishte thënë ky burim.
Ndërkaq, zëvendësi i tij, Alban Zogaj, kishte thënë burimi, po provon ta kompensojë prezencën e LDK-së si institucion.
Ndryshe, kanë kaluar mbi 100 ditë prej kur Përparim Rama është zgjedhur kryetar i Prishtinës, dhe deri më tani nuk kemi parë ndonjë afërsi mes Ramës dhe kryetarit të LDK-së dhe anëtarëve të tjerë të këtij subjekti politik.
Ndërsa sa i përket angazhimit të tij në zgjidhjen e problemeve të prishtinasve, Rama kritikohet se nuk po punon aq sa kanë pritur qytetarët e kryeqytetit.
Mbetet të shihet nëse Rama do të arrijë t’i konkretizojë premtimet e tij që i bëri gjatë fushatës zgjedhore bashkë me LDK-në. /Nacionale