Presidenti turk Erdogan është duke zhvilluar një vizitë historike në Arabinë Saudite duke zbutur raportet mes dy shteteve pas tensioneve gjatë viteve të fundit.
Erdogan shkoi filimisht në Rijad dhe më pas në vendet e shenjta të Islamit si Meke dhe Medine.
Më herët, Erdogani u takua me zyrtarë të Arabisë Saudite duke përfshirë edhe Princin e Kurorë, Muhamed bin Salman.
Duket se Erdogani ka planifikuar vizitën në Arabinë Saudite pas pezullimit të një vizite të njoftuar më parë për në Shqipëri me qëllim inagurimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Erdogani e paralajmëroi këtë vizitë gjatë fjalimit të tij në Kuvend duke theksuar se do të bënte inagurimin e xhamisë në muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur që prej asaj deklarate të bujshme në Kuvend, megjithatë është fakt se lideri turk nuk erdhi për Ramazan në Shqipëri, por zgjodhi të shkonte në Arabinë Saudite. Më herët, disa shoqata fetare të frymëzuara nga partia e Presidentit turk AKP, kishin bërë përgatitje për ardhjen e Erdoganit në Shqipëri, por duket se gjithçka është anuluar në momentet e fundit.
Çfarë tha Erdogani në 17 janar në Shqipëri:
Pritja që m’u bë mua dhe delegacionit tim në Shqipëri që në momentin kur shkelëm në tokën deri në largim, është shenjë e lidhjes shpirtërore që nuk këputet mes nesh dhe vëllezërve tanë në Ballkan Për ne vetëm kaq është e mjaftueshme.
Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne.
Puna vijon ende. Me Ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët.
Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes.