Latifi, mjekëve: Mësojeni këngën ‘oj Kosovë oj nana jem’

- in Shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi iu ka thënë sot mjekëve që ta mësojnë këngën ‘oj Kosovë oj nana jem’.

Ministria e Shëndetësisë ka organizuar sot një tryezë me temën “Transformimi i Shëndetësisë” ku kanë marr pjesë drejtuesit e SHSKUK-së, Bordi dhe drejtori i përgjithshëm, si dhe drejtorë të spitaleve rajonale dhe klinikave të QKUK-së.

Në një fjalim të tij para mjekëve të cilët mbajnë pozita në SHSKUK, Latifi ka kërkuar nga ta që ta mësojnë këngën ‘oj Kosovë oj nana jem’.

“Duhet me dasht pak ma shumë Kosovën. Kur të qoheni në mëngjes thuani oj Kosovë, nëse nuk e keni ndëgju atë këngën ‘oj Kosovë oj nana jem’ mësojeni. Ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Latifi.

Përveç kësaj, ministri ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi në punë nga mjekët duke thënë se nuk duhet të lejojnë që profesionistët të ikin nga vendet e punës dhe të njëjtit të ndëshkohen me një vërejtje.