“I plagosur rëndë bëri 16 orë rrugë”, përpjekja e lavdishme e dëshmorit të UÇK-së për shpëtim

- in Lifestyle

Masakra e Belegut njihet si një ndër masakrat më të mëdha që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I mbijetuari i kësaj masakre, Endrit Binakaj, i cili në atë kohë ishte vetëm 9 vjeç, në emisionin n’Demos ka rrëfyer për ngjarjet e 29 dhe 30 marsit të vitit 1999.

Binakaj tha se fshati Beleg gjatë asaj periudhe ishte shndërruar në një “kamp nazistësh”.

“Forcat policore serbe kishin filluar ofanzivën e egër ndaj popullatës civile, jo vetëm të fshatit Beleg, por edhe të banorëve të fshatrave tjera që kishin ardhur në Beleg”, bëri të ditur ai.

Endrit Binakaj, i cili njëkohësisht është autor i dy librave për Masakrën e Belegut, mes tjerash ka folur edhe për plagosjen dhe pastaj vdekjen e Nezir Vishajt.

“Sipas dëshmitarëve që i kam intervistu, Nezir Vishaj ishte qëlluar në pjesën e poshtme të nofullës, mirëpo forcat serbe kanë menduar se ka marrë plagë vdekjeprurëse”, u shpreh ai në emisionin n’Demos.

Sipas tij, Nezir Vishaj pas plagosjes ka ecur për më shumë se 16 orë që të arrinte në një spital ushtarak.

“Pas largimit të forcave serbe, ai ashtu i plagosur kishte arritur që të largohej nga Belegu dhe të shkonte në fshatin Isniq. Kishte bërë prej Belegut në Isniq rreth 16 orë, ku ishte strehuar atje, e pastaj nga Isniqi ka vazhduar në Zhebel, në spitalin ushtarak të UÇK-së”, theksoi Binakaj.

Tutje i mbijetuari i kësaj masakre rrëfeu se si ish-ushtari i UÇK-së, Demë Zukaj, nga i cili edhe e ka dëgjuar këtë rrëfim, ka shkuar në Zhebel për ta takuar Nezir Vishajn e plagosur.

“Dema e takoi atje Nezir Vishajn, i cili pasi e kishte të pamundshme të fliste për shkak të plagës së rëndë në pjesën e nofullës, ia kishte shkruar në letër udhëtimin e tij të mundimshëm nga Belegu për në Isniq për 16 orë, pastaj ia kishte shkruar në letër se i kanë vrarë Naim Vishajn dhe Daut Aliçkajn”, potencoi ai.

Megjithatë, pavarësisht se kishte shkuar në spital, Nezir Vishaj nuk kishte arritur t’i mbijetonte plagëve të marra.

Binakaj bëri të ditur se Demë Zukaj kishte tërhequr zvarrë trupat e vdekur të Nezir Vishaj, Naim Vishaj dhe Daut Aliçkaj, ku pastaj i kishte varrosur ata.