“Isha me Ibrahimin, me Hashimin, me Ramushin, tani jam me Albinin”

- in Lifestyle

Çun Lajçi

Postimi i plotë:

Albini po me duket si Rexhep Gjyka

Unë isha i Antonit. Profesorit tim. Atij mbledhësit të folklorit.

E kam fjalën për Anton Çetën ore, plakun e pajtimeve!

Ndoshta iu kujtohen Verrat e Llukës?! Aty ishte krejt Kosova.

Ishte plaku, i riu, plaka, nusaja e çika. Aty isha edhe unë me Galën time. Atëherë ishte nuse, me dy fëmijët ngrykë.

Fusha e pajtimit ishte plot kerre kuajsh me pite, flia, laknuer e mish.

Hej, s’ishte mahi ore! Aty kishte zbritë Anton Çeta. E kishte ngjallë Isë Boletinin. Fishta po i fliste të veshi: Grish Kosovën, bashkoje Rekën!

Ishte ba Haxhi Zekë, Ali Pashë ishte ba, e rinia kishte rrethua! Ishte intelegjenca! Kosova po ia falte gjaqet Bacë Antonit, e ngrykë mereshin njeni me tjetrin.

Tanket serbe i prisnin n’krye t’katundit, por ne s’frigoheshim, se na printe Antoni e Zekria Cana. Bile Zeqa, s’përtonte me u kapë fytas me policinë.

Mos e prekni popullin, se ne e kemi thirrë. Na merrni neve, u thoshte!

Mandej isha i Ibrahimit. Se krejt Kosova i hudhi librezat e kuqe dhe u ba demokrate. U ba Ibrahim!

U bana edhe unë. Po, se n’zyrën ku unë e recitova Fishtën, shkonte edhe Ademi, legjendari, i pavdekshmi! E si t’mos shkonte artisti?

Mandej u bana Hashim!

Po more, se ai zbriti me ushtarë nga malet e n’fytyrat e tyne, qeshte Liria!

U bana i Ramushit, mandej, se m’tha; kam me ta lidhë Çakorrin me Kullën.

Dhe i besova, se besova n’gjakun e Luanit e t’Shkelzenit!

Por asnjeni s’ishte Anton, t’na pajtonte. As Ibrahim që t’na bashkonte. Jo! Këta na degdisën kërrshave, si dhitë e egra, e sunduen ma leht e jetuen ma mirë!

Tash jam të Albini. Jo n’parti,jo! Unë e kam partinë ma t’mirë. Popullin, që i vdes të kambët.

Ky po thotë do t’bahet mirë, por unë mirë s’po shoh.

Ndoshta mu kanë mjegullua sytë prej moçnimit e duhet me i pyet këta që shohin mirë! Se çdo kerrit, që po thehet, po ia gjenë behanen. Po thotë nji spicë rrote asht thye, e tash e ndrrojmë. Hipni n’kerr e mos u tutni po thotë.

Mua po m’duket si Rexhep Gjyka i Pejës. E kam njoftë mirë.

Ai e kishte nji kerr me dy rrotë që e tërhiqte gomari. Krejt me zhele i lidhun. Edhe spicat iu kishin thye, por bërtiste: Hipni n’Pajton se iu çoj të Ura e Zallit!

S’di!

Po m’duket se gjithçka që arsyetohet para vaktit, asht e kalbune! T’presim deri sa të kthehet prej Amerikës a mos po e ndrron pak gëzofin!