Fqinjët dhe të afërmit e efektivit të policisë Hysen Gashi në fshatin Katund i Ri në Durrës janë të tronditur nga shpërthimi i një nate më parë.
Ata kanë pohuar se shpërthimi ka qenë shumë i fortë, por se janë të habitur për ngjarjen.
Vëllai i policit Hysen Gashi, në derën e biznesit të të cilit u vendos eksplozivi tha se nuk kanë asnjë konflikt si familje dhe se motiv mund të ketë qenë puna e 54-vjeçarit si efektiv i “Shqiponjave”. “Habitemi si ka ndodhur, nuk i ka prish qejfin dikujt. Ne nuk kemi konflikte me askënd.
Gruaja me djalin kishin shkuar te vajza në Rrashbull. Shpërthimi është dëgjuar aq shumë sa dhe një atje në Çermë ka pyetur çfarë ishte ai shpërthim”, tha i vëllai.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 22:20, në fshatin Katund i të Ri, Durrës, në derën e jashtme të dyqanit të shtetasit H. G., 54 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse.
Si pasojë është dëmtuar vetëm qepeni i jashtëm i derës së dyqanit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.