Ai është njeriu i dytë më i pasur i kriptomonedhave në botë – historia interesante e 30-vjeçarit që po e fal pasurinë miliardëshe

- in Rajoni dhe Bota

Sam Bankman-Fried (30), miliarderi i dytë më i pasur i kriptomonedhave në botë dhe njeriu i 60-të më i pasur në planet, sipas listës së fundit të revistës Forbes, planifikon të dhurojë 99 për qind të pasurisë së tij, e cila vlerësohet në 24 miliardë dollarë.

Ai do të mbajë për vete “para të mjaftueshme për të mbajtur një jetë komode”, pra rreth 100.000 dollarë në vit.

Sipas “Bloomberg” në raportin për këtë miliarder të pazakontë, zyrat e tij aktualisht duken “sikur askush të mos kishte kohë për tu zbërthyer”. Tavolinat janë të shënuara me shënime ngjitëse me emrat e punonjësve dhe Bankman-Fried shëtit nëpër zyrë me çorape të bardha, raporton usatoday.

Pavarësisht se drejton një këmbimore globale të kriptomonedhave me shumë miliarda dollarë, 30-vjeçari drejton një Toyota Corolla, jeton si student dhe synon të fitojë sa më shumë para që të ketë më shumë për të dhuruar. Ai nuk zotëron gjëra të shtrenjta, pasi siç thotë ai, nuk sheh “shumë vlerë” në blerjen e gjërave.

“Ju mbarojnë shpejt mënyrat efektive për t’u bërë më të lumtur duke shpenzuar para. Unë nuk dua një jaht,” i tha ai Bloomberg.

Miqtë e djaloshit thonë se ai është aq i përkushtuar ndaj punës së tij, sa ndonjëherë harron të lahet me ditë të tëra, gjumin e konsideron një “luks të panevojshëm”, dhe nuk i intereson shumë afrimi me njerëzit, sepse mendon se është humbje kohe.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit, FTX u dha të gjithë klientëve të saj ukrainas para dhe Bankman-Fried personalisht dhuroi 250 mijë dollarë për Ukrainën.

Si e krijoi pasurinë?

Miliarderi i ri, i cili nga mediat amerikane quhet gjerësisht Mark Zuckerberg i ri, pasurinë e krijoi përmes një sërë investimesh strategjike në kriptovaluta. Fillimisht ishte tregtar dhe më pas themeloi FTX, një bursë që merret me shkëmbimin e mjeteve dixhitale që mundësojnë blerjen dhe shitjen e tokenave si Bitcoin.

“Ishte e mrekullueshme. Unë isha më shumë një hipi dhe më pak një shkencëtar”, pranoi ai dikur.

Pas diplomimit, ai u punësua në kompaninë financiare “Jane Street Capital”. Më pas Bitcoin pati rritjen e parë të madhe dhe u hodh nga 2,500 në pothuajse 20 mijë dollarë për token.

Bankman-Fried pa një mundësi për të blerë Bitcoin në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017 dhe për ta shitur atë në Japoni për 30 për qind më shumë.

Në fund të atij viti, ai dha dorëheqje, mori një milion dollarë që kurseu dhe një milion të tjerë që mori nga një kredi nga miqtë dhe familja.

Me ato para, ai themeloi Alameda Research, një kompani tregtare e dedikuar për krijimin e strategjive të bazuara në llogaritjet matematikore për të identifikuar mundësitë e biznesit.

Në janar të vitit 2018, ai themeloi FTX. Gjatë ditëve të para, FTX punoi nga VIVork në Hong Kong me vetëm një duzinë punonjës. Kompania u rrit aq shpejt sa shpejt arriti një vlerë prej 18 milionë dollarësh dhe shiti një pjesë për rreth 70 milionë dollarësh. /Telegrafi/