Ramabaja sqarohet për ‘gjenitalet’, përplaset me imamin Maliqi rreth shamisë në shkolla

- in Lajme

Ditë më parë është riaktualizuar tema e bartjes së shamisë në institucionet arsimore pasi që një shkollë në Gjakove kishte postuar një afishe ku ndalohej hyrja me veshjen e grave myslimane.

E gjatë diskutimeve, si gjithnjë të zjarrta, erdhi edhe një interpretim i ri për mënyrën se si duhet të mbulohen gratë që i përkasin fesë Islame.

Sadri Ramabaja, politolog, tha se në versionin gjermanisht të Kuranit theksohet se çështja e mbulesës ka të bëjë vetëm me çështjen e mbulimit të organeve gjenitale, të cilat sipas shpjegimit mjekësor janë organet e riprodhimit.

Në një përgjigje për Gazetën Nacionale, Ramabaja ka sqaruar se çfarë nënkupton në analizën e tij mbulimi sipas fesë Islame.

“Në suren 24, vargu 31, u bëhet thirrje grave të mbulojnë gjoksin me pelerinë (arabisht: khimar). Në gjermanisht: «Und sag den gläubigen Frauen, sie sollen (…) ihre Tücher (chimâr) über ihre Busen ziehen». (Thoni grave besimtare të mbulojnë gjoksin me pelerina)”, tha Ramabaja për Nacionale.

Ai madje ka kritikuar mënyrën se si përkthehet ky ajet kuranor në gjuhën shqipe.

“Në disa përkthime shqip të Kuranit (në mos në të gjitha) gjoksi përkthehet me kraharor, i cili, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, përshkruan pjesën nga qafa deri te barku. Gjermanët janë më precizë. Dhe kjo është e kuptueshme”, deklaroi Ramabaja.

Por çfarë realisht thotë Kurani?

Në suren An-Nur, që në gjuhën shqipe do të thotë kaptina e dritës, shpjegohet çështja e mbulimit për gratë myslimane.

“Thuaju besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, përveç atyre që janë të dukshme, të ven një shami në kraharorin e tyre dhe të mos iu tregojnë bukurinë askujt përveç burrave të tyre”, thuhet në kaptinën An-Nur.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar imamin Labinot Maliqin për të marrë një interpretim rreth ajetit të lartcekur.

Në përgjigjën e tij, Maliqi ka listuar rregullat kryesore që duhet t’i përmbushë mbulesa në Islam.

“Kushtet e mbulesës nga pikëvështrimi Islam, më kryesoret janë tri që besimtaret obligohen t’i përmbushin: Të mbulohet i tërë trupi, përveç fytyrës dhe duarve (deri të nyjet e shuplakës së dorës). Me qenë e gjërë, jo e ngushtë në mënyrë që të mos përshkruhet trupi dhe, të mos jetë e tejdukshme”, tha Maliqi për Nacionale.

A duhet të lejohet mbajtja e mbulesës në shkolla dhe nga çfarë moshe?

Si zakonisht, kurdo që hapet tema e shamisë, diskutohet edhe për lejimin ose mos lejimin e mbajtjes së mbulesës fetare në shkolla.

Për këtë çështje, hoxhë Maliqi thekson se ndonëse mbulesa lejohet me Kushtetutën e Kosovës, kjo e drejtë kufizohet nga një udhëzim administrativ i miratuar nga MASHTI.

Imami nga Prishtina thotë se Kosova duhet ta lejojë vijimin e shkollimit të vajzave me shami, sepse një gjë e tillë është në përputhje me konventat ndërkombëtare.

“Nëse vendi ynë aspiron të anëtarësohet së shpejti në Këshillin e Evropës, atëherë shteti duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të mos bëjë ndonjë padrejtësi në fushën e të drejtave elementare njerëzore, sepse rastet e dëmtuara, bullizuara e të diskriminuara për shkak të ligjit apo udhëzimeve administrative, mund të paraqesin rastet e tyre në Gjykatën e Strasburgut dhe të fitojnë rastet, kjo Gjykatë e bënë interpretimin dhe zbatimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe mund t’i detyroj shtetet të pajtohen me vendimet e saj”, shtoi Maliqi.

Madje ai jep një mendim se nga cila moshë duhet të lejohet.

“Ajo që unë rekomandoj, bartja e mbulesës në shkolla duhet të lejohet që nga klasa V-të, dhe të mos këtë asnjë pengesë ligjore apo administrative tutje”, deklaroi imami.

Ndërsa krejt mendim tjetër ka Ramabaja.

I pyetur për punën e lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, ai ka thënë se një gjë e tillë është agjendë politike neootomane.

“Janë kërkesa të orkestruara dhe pjesë e agjendës politike të qarqeve që neootomaniste, që për fat të keq, janë aktive edhe në Kosovë. Natyrisht një pjesë edhe krejt pa vetëdije. Këtë Çështje e ka zgjidhë Gjykata Kushtetuese në rastin e Arta Halimit”, tha Ramabaja.

Kujtojmë që disa ditë më parë, një afishe e vendosur në shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” u bë kryelajm pasi që ndalonte hyrjen në shkollë me shami duke e listuar në të njëjtin rang me armët e cigaret.

Ndërsa ndaj drejtoreshës së kësaj shkolle, Florentina Gjergjaj, pati shumë reagime të cilat kaluan madje edhe në linçime. Pas kërcënimeve të marra, siç ka raportuar Nacionale, Gjergjaj që së bashku me fëmijtë e saj është larguar nga qyteti i Gjakovës./Nacionale