Kosovarët po vazhdojnë që adresë të vetme të shërimit për sëmundje më të rënda t’i kenë spitalet jashtë vendit. Shteti ende s’ka arritur që të krijojë një sistem të mirëfilltë shëndetësor. E në mungesë të Sigurimeve Shëndetësore, shërimi i kosovarëve në vendlindje po bëhet edhe më i vështirë. Sigurim Shëndetësor nuk kanë as pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët çdo ditë e luftojnë kriminalitetin në vend. Veç për 3 muaj në kryerje të detyrës janë lënduar 64 zyrtarë policorë e 13 të tjerë kanë kërkuar ndihmë për shërim jashtë vendit.
Secili ministër i shëndetësisë, secila qeveri, që nga viti 2014, premtim kryesor e kanë pasur jetësimin e Sigurimeve Shëndetësore për kosovarët. Ligji për sigurime shëndetësore ka kaluar në vitin 2014. Dy vjet më vonë ka nisur puna në amendamentimin e tij, porse nuk është kryer ende.
Shumë qeveri janë ndërruar, e që sigurimet shëndetësore ende s’janë bërë.
Por as ky vit, kosovarët s’do ti gjejë të siguruar në aspektin shëndetësor. Këtë fakt po e pranojnë edhe vetë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në një deklaratë për Nacionalen.
“Në programin legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës / Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2022 është edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Qëllimi është që qytetarët e Kosovës të kenë shërbime kualitative të kujdesit themelor shëndetësor për të përmirësuar indikatorët shëndetësorë, sigurimin e mbrojtjes financiare për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësor, nëpërmjet themelimit dhe rregullimit të sistemit publik të sigurimit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë gazetës.
Ministri Latifi: Në vitin 2023 do të fillojmë t’i mbledhim paratë
Por kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi, pati deklaruar se fillimi i vitit 2023 është koha kur do të fillojnë të mblidhen paratë nga qytetarët për sigurime shëndetësore, ndërsa shërbimet, sipas tij, do të ofrohen më vonë.
Por se kur – ditë, muaj apo vit – Latifi nuk kishte treguar.
“Në fillim të vitit 2023 do të fillojmë t’i mbledhim premiumet për këtë (çështje), dhe unë besoj që këtë vit do të kemi të paktën fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Latifi.
Plan të njëjtë si të ministrit Latifi, pra fillimisht mbledhjen e premiumeve nga qytetarët e pastaj kontraktimin e shërbimeve, e kanë pasur edhe qeveritë e kaluara.
Njëjtë kishte vendosur Qeveria e Kosovës në kohën e Isa Mustafës gjatë viteve 2016 e 2017, ani se Vetëvendosja në atë kohë e kundërshtonte fuqishëm një ide të tillë, me argumentin se është e jashtëligjshme.
“Para se të fillojë vjelja e parave të qytetarëve për sigurime, ata duhet publikisht të njoftohen për përfitimet që do të kenë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, kishte thënë më 2016 Visar Ymeri, kryetar i VV-së në atë kohë.
Sigurim Shëndetësor nuk kanë as pjesëtarët e Policisë së Kosovës
Për një vit, 13 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë trajtuar jashtë vendit për shkak të sëmundjeve nga të cilat ata lëngonin.
Disa herë ndihmë për shërim të zyrtarëve policorë është kërkuar edhe nga qytetarët.
Nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Nacionale kanë sqaruar rreth mënyrës se si bëhen kërkesat për trajtim të zyrtarëve policorë jashtë Kosovës.
“Gjatë Vitit 2021 dhe në fillim të muajve të vitit 2022, përmes Drejtorisë se Shërbimeve Shëndetësore / DPP janë përcjellë Rekomandime për të kryer kompenzime materiale për gjithsej; 13 pjesëtarë të PK-së të cilët janë trajtuar jashtë vendit ( për shkak të natyrës së rëndë te sëmundjes) të trajtuara me emërtimin; “Raste të veçanta shëndetësore“ të Aprovuara në Udhëzimin në fjalë, ku bëjne pjesë sëmundjet e rënda përfshirë edhe sëmundjet malinje”, thuhet në përgjigjen e PK-së për gazetën.
Sipas policisë në rastet kur kërkesa e punonjësit të PK-së aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria mbulon shpenzimet e trajtimit, atëherë pjesa e mbetur financohet nga PK-ja (nëse e lejon buxheti).
E në rastet kur kërkesa e punonjësit të PK-së nuk aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, atëherë PK-ja mbulon shpenzimet e trajtimit mjekësor për trajtim jashtë vendit (nëse lejon buxheti i PK-së).
E gjatë vitit 2022, 64 zyrtarë të PK-së, janë lënduar në kryerje të detyrës për vitin 2022.
E Kosova mbetet një nga vendet e rralla në Evropë pa sigurime shëndetësore, ndonëse secila qeveri e subjekt politik e premton në fushata zgjedhore. /Nacionale.com/