Sa herë në ditë duhet të bëjmë seks? – Seksologu kosovar flet për Klan Kosova

- in Kuriozitete, Lifestyle

Studiuesit gjithandej botës thonë se marrëdhëniet seksuale ndihmojnë në luftimin e shumë sëmundjeve, forcojnë sistemin imunitar dhe zvogëlojnë nivelin e depresionit dhe ankthit.

Këtë e konfirmon edhe specialisti i seksologjisë në Kosovë, Hajrullah Fejza.

Në një intervistë për Klankosova.tv ai ka treguar se si ka ndikuar pandemia në marrëdhëniet seksuale tek njerëzit si dhe ka dhënë këshilla për të rinjtë që nuk kanë eksperienca seksuale.

Seksokologu kosovar poashtu jep përgjigje në pyetjen se a kërkohen medikamente shtesë për të ndihmuar në rritjen e dëshirës seksuale.

Më poshtë e gjeni të plotë intervistën me seksologun Hajrullah Fejza dhënë për Klankosova.tv.

Klan Kosova: Si mund të mësojnë çiftet të përshtaten seksualisht me njëri-tjetrin, pa u ndier në siklet?

Seksologu Hajrullah Fejza: Marrëdhëniet seksuale në çift janë pasqyrim i cilësisë dhe mënyrës së jetës së çiftit. Secili çift është unik në mënyrën e konsumimit të marrëdhënieve seksuale. Kjo nënkupton që të dy partnerët duhet t’i përshtatin preferencat, dëshirat dhe mundësitë seksuale mes vete. Kjo më së miri arrihet me një komunikim të vazhdueshëm seksual para dhe gjatë seksit. Duke u shpreh lirshëm më njëri-tjetrin ata e bëjnë më dije partnerin kur ndihen të eksituar, si duhet stimuluar njëri-tjetrin dhe çfarë i pengon në veprimet e njëri-tjetrit. Duke qenë të lirë në maksimum me njëri tjetrin ata mund të plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit dhe të realizojnë kënaqësitë dhe preferencat e veta seksuale. Përshtatje dhe komunikimi seksual duhet të ndodhin në vazhdimësi sepse kështu çifti e shmang monotoninë seksuale dhe e rritë nivelin e kënaqësisë seksuale.

Klan Kosova: A kërkojnë njerëzit medikamente për të përmirësuar dëshirën e tyre seksuale?

Seksologu Hajrullah Fejza: Deri më tani nuk ka asnjë medikament të aprovuar shkencërisht për rritjen e dëshirës seksuale të djemtë dhe burrat. Kohëve të fundit është aprovuar medikamenti “Flibanserinë” për rritjen e dëshirës seksuale te vajzat dhe gratë. Ka shumë raste kur klientët kërkojnë medikamente të tilla. Ne, ju sqarojmë situatën e përmendur dhe rekomandojmë marrjen e “Flibanserinës”, por momentalisht është shumë vështirë për ta siguruar sepse nuk gjendet në tregun tonë dhe jashtë akoma kushton shumë shtrenjtë.

Klan Kosova: Cila është stina më e preferuar për të bërë seks?

Seksologu Hajrullah Fejza: Shkencërisht nuk ka ndonjë stinë të preferuar apo që është më e përshtatshme për të bërë seks. Secila stinë i ka specifikat dhe sharmin e vet në të cilën çiftet plotësojnë nevojat e tyre seksuale.

Klan Kosova: Sa herë në ditë ose në javë duhet të bëjmë seks?

Seksologu Hajrullah Fejza: Shpeshtësia apo frekuenca e marrëdhënieve seksuale është shumë e ndryshme në mes të çifteve. Ajo varet nga shumë faktorë: dëshira e partnerëve, koha, kushtet shëndetësore, ngarkesa në punë, mosha etj. Disa çifte konsumojnë disa marrëdhënie seksuale brenda ditës, të tjerat disa herë në javë ndërsa ka çifte që mjaftohen me një marrëdhënie në muaj ose edhe më rrallë.

Klan Kosova: A ndihmon seksi në shërimin e disa sëmundjeve?

Seksologu Hajrullah Fejza: Seksi është i mirë në lehtësimin e shumë simptomave dhe gjendjeve të tjera shëndetësore. Lehtëson stresin, rrit disponimin dhe vetëbesimin, përmirëson dukjen e jashtme, ul pragun e dhimbjeve të lehta, ul presion e gjakut, përmirëson sistemin imunitar, ruan shëndetin e zemrës, zvogëlon depresionin dhe ankthin, e rrit libidon dhe mundëson gjumë më të mirë.

Klan Kosova: A ndikoi pandemia për të mirë apo për të keq në marrëdhëniet seksuale tek njerëzit?

Seksologu Hajrullah Fejza: Pandemia ka ndikuar në dy mënyra në fushën e marrëdhënieve seksuale. Përderisa te një kategori e caktuar e të qenit bashkë dhe me lëvizje të kufizuar është rrit intimiteti dhe rrjedhimisht edhe cilësia dhe shpeshtësia e marrëdhënieve seksuale te disa tjera infeksioni i kaluar, frika e madhe dhe humbja e njerëzve të afërt kanë ulur edhe cilësinë edhe shpeshtësinë e këtyre marrëdhënieve.

Klan Kosova: Cila është këshilla juaj për të rinjtë që janë të papërvojë në seks?

Seksologu Hajrullah Fejza: Të rinjtë e papërvojë në seks është shumë e rëndësishme që të marrin informata bazike rreth shëndetit seksual që përfshijnë njohjen e anatomisë së trupit dhe organeve gjenital, përgjigjen seksuale, komunikimin seksual, respektimin e të drejtave seksuale dhe informata për seks të sigurt.