Ishte vetëm 9 vjeç kur si për mrekulli shpëtoi nga vdekja. Endrit Binakaj është i mbijetuar i masakrës së Belegut, ku forcat ushtarake e policore të Serbisë vranë 46 civilë shqiptar.
“Natë e tmerrshme” – kështu i referohet Binakaj masakrës së 28 e 29 marsit të vitit 1999 në një rrëfim për Gazetën Nacionale.
Si fëmijë që ishte, ai thotë të ketë regjistruar në detaje ngjarjet e dy netëve të tmerrit për banorët e Belegut, ku mbetën të vrarë 46 persona.
“Koha kur ka ndodh masakra e Belegut kam qenë vetëm 9 vjeçar. Natyrisht që kujtesa fëmijërore ka regjistruar ashtu i padjallëzuar çdo imtësi të asaj katrahure dhe tmerri qe po ndodhte në Belegun e vitit 1999”, thotë Binakaj.
Në këtë masakër, përveç banorëve të Belegut, mbetën të vrarë edhe shqiptar të fshatrave të tjera të Deçanit.
Binakaj tregon se si i kishte parë vrasjet që ndodhnin gjatë ditës në një pjesë të fshatit, ku u krye njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë.
“Në qendër të fshatit ishim mbledhur të gjithë civilët e Belegut dhe jo vetëm, ngase kishte edhe banor të fshatrave përreth. Në pjesën e poshtme të fshatit gjatë ditës ishin ekzekutuar në prani të familjarëve: Naim e Nezir Vishaj si dhe mësuesi Daut Aliçkaj. Ne naten e tmerrshme te 29 marsit të gjitha qëndruam në një shtallë të lopëve, të ndarë burra nga gratë dhe fëmijët”, deklaron Binakaj për Nacionale.
“Kemi qenë gjatë gjithë natës të kërcënuar me thika, me armë. Janë hy me disa drita, i kanë shiku rend njerëzit, i kanë kërcënuar me tyta të automatikut. Mëngjesin e 30 marsit filloi eksodi për Shqipëri. Na kanë hip nëpër traktorë neve civilëve, gratë dhe pleqtë dhe na kanë deportuar për në Shqipëri”, vazhdon rrëfimin e tij i mbijetuari i masakrës së Belegut.
Në rrëfimin e tij, Binakaj si fëmijë që ishte thotë të mos jetë frikuar nga vdekja. Madje ai e kujton se si gjatë depërtimit për në Shqipëri, në rimorkio të traktorit i mbante lartë dy gishtat që simbolizojnë fitoren.
“Me t’kallxu të drejtën, e kam pas poshtë frikën. Në rimorkio i qojsha dy gishta gjatë gjithë kohës, mirë që nuk na ka pa ndonjë patrullë, sepse do të mund ta pësonim keq. Nuk e dija si fëmijë frikën prej vdekjes, ndoshta për shkak që nuk e kam njoftë si koncept si fëmijë vdekjen”, thotë Binakaj.
Ndonëse kanë kaluar 23 vite nga masakra, ai thotë se secili përvjetor është i rëndë për të e familjen e tij pasi që ata humbën tre të afërt në këtë krim të Serbisë.
“Me të thanë të drejtën, sa herë vjen marsi nuk është ndjenjë e mirë, i sheh familjarët të mërzitur. Ende shumë janë të zhdukur, nuk është ndjenjë e mirë. Së paku me pas nga një varrezë për ta, sepe qështu të zhdukur është dhimbja e dyfishtë”, deklaron Binakaj.
32 vjeçari nga Belegu është i zhgënjyer për mos punën e institucioneve shtetërore në zbardhjen e këtij krimi.
“Shteti dhe institucionet respektive që duhet të merret me këto krime natyrisht që nuk kane bërë dhe nuk po bëjnë mjaftueshëm në ndriçimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës. Harresa kolektive nuk duhet të bëhet si pjesë normale e jetës sonë”, shton Binakaj.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga koha e masakrës, 33 persona ende figurojnë të zhdukur në njërën nga krimet më të mëdha që shteti serb kreu në Kosovë.
As drejtësia ndërkombëtare (UNMIK e EULEX) e as ato vendore, ndonëse hetuan rastin, nuk kanë sjellë drejtësi për viktimat e as nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Maskrën e Belegut e të fshatrave përreth të Deçanit e kanë përkujtuar edhe liderët institucional e politik të vendit./Nacionale