Pushtimi i Ukrainës – dita 13

- in Rajoni dhe Bota

Në ditën e 13-të të pushtimit rus në Ukrainë, ofensiva ruse po ngadalësohet, thonë autoritetet ukrainase, ndërsa banorët vazhdojnë të largohen nga qytetet e bombarduara.

 

13:00 | Shell ndalon blerjen e naftës së papërpunuar ruse

Gjiganti britanik i naftës, Shell ka kërkuar falje për blerjen e një dërgese me zbritje javën e kaluar të naftës së papërpunuar ruse dhe thotë se do të tërhiqet tërërsisht nga çdo përfshirje në hidrokarburet e këtij vendi.

“Jemi të vetëdijshëm që vendimi ynë i javës së kaluar për të blerë një dërgesë të naftës së papërpunuar ruse – për t’u rafinuar në produkte si nafta dhe benzina – nuk ishte vendim i duhur dhe neve na vjen keq për këtë”, ka thënë një zyrtari i lartë i Shell, Ben van Beurden.

Kompania tha se do të ndalojë menjëherë të gjitha blerjet e naftës së papërpunuar ruse dhe do t’i ndalojë të gjitha veprimtaritë në Rusi.

12:43 | Kah po shkojnë refugjatët ukrainasë?

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë bëri të ditur më herët që numri i refugjatëve  që e kanë lëshuar deri më sot Ukrainën ka arritur në mbi 2 milionë.

Refugjatët po kalojnë nga Ukraina në vendet fqinje, si Polonia, Rumania, Sllovakia, Hungaria dhe Moldavia.

Një numër më i vogël i refugjatëve kanë ikur në Rusi dhe në Bjellorusi.

BBC sjellë shifra nga një raport i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët:

  • Polonia ka mirëpritur 1,204,000 refugjatë
  • Hungaria 191,000 refugjatë
  • Sllovakia 141,000 refugjatë
  • Moldavia 83,000 refugjatë
  • Rumania 82,000 refugjatë
  • Rusia 99,300 refugjatë
  • Bjellorusia 453 refugjatë

Sipas këtij raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 183,000 njerëz kanë lëvizur nga këto vende për në shtete të tjera të Evropës.

12:15 | Grandi: Në Evropë duhet më shumë solidaritet

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi tha më herët se vala e parë e refugjatëve që kanë ikur nga Ukraina është e njerëzve që kanë pasur “disa burime”.

“Shumë prej tyre kanë ikur me veturë, dhe në veçanti ata që kanë pasur lidhje. Ata shkojnë atje ku kanë familjarë, shoqëri dhe lidhje”, ka thënë ai.

Por, ai ka paralajmëruar se nëse lufta vazhdon, njerëzit me burime dhe lidhje të pakta do të detyrohen të ikin.

“Kjo do të jetë çështje më komplekse për vendet evropiane për ta menaxhuar situatën dhe ka nevojë për më shumë solidaritet nga të gjithë në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë Grandi, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Ai tha se nga luftërat në Bosnjë dhe Kosovë është përjetuar eksodi i “ndoshta dy apo tre milionë njerëzve, por brenda një periudhe 8 vjeçare”.

Përderisa në dita pjesë të botës janë parë lëvizje të ngjashme, “në Evropë, kjo është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Grandi.

12:00 | Ukraina njofton për vrasjen e një gjenerali të lartë rus

Njësia e Intelegjencës së ushtrisë së Ukrainës tha se forcat ukrainase kanë vrarë një gjeneral rus në afërsi të qytetit të rrethuar të Kharkivit – komandanti i dytë i lartë rus që vritet që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë komente lidhur me këtë deklaratë të palës ukrainase.

Ukraina thotë se forcat e saj kanë vrarë më shumë se 11 mijë trupa ruse. Rusia ka konfirmuar humbjen e 500 trupave.

Asnjëra palë nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të viktimave ukrainase.

11:31 | Disa autobusë nisen drejt Mariupolit

Al Jazeera raporton nga qyteti Zaporizhzhia se mbi 10 autobusë “janë nisur në drejtim të Mariupolit, në tentim për të larguar qindra mijëra civilë nga atje”.

“Ata po përcillen nga eskortat e policisë dhe është të paktën një kamion në atë kolonë, i cili mendohet se po bartë ndihma humanitare”, raporton korrespodenti i Al Jazeera-s.

“Tani e dimë që kjo është të paktën hera e tretë që po tentohet krijimi dhe funksionimi i një korridori për t’i larguar njerëzit, jo vetëm nga Mariupoli por edhe nga qytetet e tjera të rrethuara të Ukrainës”, thuhet gjatë raportimit.

Mariupoli është bombarduar rëndë nga forcat ruse. Qyteti ka mungesë të ujit, rrymës dhe ngrohjes për ditë me radhë.

11:17 | 2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina

Udhëheqësi i UNHCR-së, Filippo Grandi ka thënë se 2 milionë njerëz kanë lëshuar deri më tani Ukrainën, në kërkim të një vendi më të sigurt.

Ky numër i refugjatëve po pritet të rritet dukshëm.

 

10:55 | HRW: Rusia mund të ketë thyer ligjet e luftës

Një analizë e Human Rights Watch thotë se sulmet e së dielës në Irpin sugjerojnë se janë shkelur ligjet e luftës nga Rusia gjatë bombardimit të qytetit, i cili ndodhet në perëndim të Kievit.

Për disa orë radhazi, më 6 mars, forcat ruse bombarduan një kryqëzim, në një rrugë ku qindra civilë po iknin nga ushtria ruse, thuhet në raport.

“Përsëritja e sulmeve, si pasojë e të cilave, sipas qeverisë, të paktën 8 civilë u vranë, sugjerojnë që forcat ruse kanë shkelur obligimet sipas ligjeve humanitare ndërkombëtare për të mos kryer krime pa dallim që do të dëmtonin civilët, dhe kanë dështuar në marrjen e masave për të shmangur viktima civile”, thuhet ndër të tjera në raport.

10:42 | Ka nisur evakuimi nga Irpini

Njerëzit kanë nisur të evakuohen nga Irpini, një qytet në perëndim të Kievit, i cili ka përjetuar luftime të ashpra gjatë ditëve të fundit.

Kryetari i rajonit, Oleksiy Kuleba tha se evakuimi i popullësisë nga ky qytet po bëhet përmes fshatit Romanivka për në qytetin e Kievit.

Sipas tij, që nga ora 09:30 të mëngjesit janë evakuuar më shumë se 150 njerëz.

“Agresori po pengon evauimin e popullsisë. Brenda një dite, ata që kishin mundësi të vinin te pika e takimit janë larguar nga Irpini vetë. Tani distrikti po bën gati një evakuim të shkallës së gjerë dhe po shpëndan ndihma humanitare”, ka thënë ai.

10:30 | 1.2 milion refugjatë kanë hyrë vetëm në Poloni

Të paktën 1.2 milion refugjatë kanë kaluar kufirin nga Ukraina në Poloni, që nga pushtimi rus që nisi më 24 shkurt, njoftoi të martën Garda Kufitare Polake.

141,500 refugjatë kanë kaluar kufirin vetëm gjatë ditës së hënë, thuhet në këtë njoftim.

Në total, të paktën 1.7 milion refugjatë kanë lëshuar Ukrainën, sipas Kombeve të Bashkuara. Shumica prej tyre kanë kaluar në Poloni, por shumë të tjerë kanë hyrë edhe në Hungari, Sllovaki, Moldavi dhe Rumani.

 

10:21 | Një zonë ndalim-fluturimi do ta dëmtonte Ukrainën dhe Rusinë

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se një zonë ndalim-fluturimi do ta dëmtonte si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë.

Ai tha se as raketat ruse, e as artileria, nuk do të ndikoheshin nga një zonë ndalim-fluturimi, e cila njëkohësisht do të ndalonte fluturimin e aeroplanëve ukrainas.

“Nëse kemi një zonë ndalim-fluturimi, askush nuk fluturon”, tha Wallace.

10:00 | Rruga e evakuimit hapet nga qyteti i rrethuar Sumy

Agjencia e lajmeve Reuters jep hollësi të reja nga evakuimi i civilëve nga Sumy, qyteti verilindor i Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për organizimin e një korridori humanitar, për t’i lejuar civilët që të ikin nga qyteti, i cili është rrethuar pjesërisht nga forcat ruse. Të hënën u raportua për 9 persona të vrarë nga ky qytet.

Armëpushimi, për të cilin janë pajtuar palët, pritet të zgjasë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 21:00.

Kolona e të evakuuarve do të udhëtojë në drejtim të jugut, duke ndjekur rrugën nga Sumy në Poltava – një qytet ukrainas 175 km në jug.

09:40 | Zelensky: Nuk e dorëzoj Ukrainën time, nuk kam frikë nga askush

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy sërish ka folur për rezistencën dhe guximin e popullit ukrainas për ta mbrojtur vendin nga agresioni rus. Ai thotë se do të qëndrojë në Kiev dhe nuk do ta dorëzojë qytetin, komunitetin e Ukrainën, duke theksuar se nuk ka frikë nga askush.

Nëpërmjet një video-mesazhi, Zelensky tha se do të këmbëngulin për negociata, derisa të gjejnë një mënyrë për t’i thënë popullit ukrainas “Kështu do të arrijmë paqen”.

 

09:11 | Vazhdon ofensiva ruse në Ukrainë

Ofensiva e Rusisë në Ukrainë vazhdoi të martën, por me një ritëm dukshëm më të ngadaltë. Sipas ushtrisë dhe inteligjencës ukrainase,  një komandant i dytë i lartë rus është vrarë, ndërsa banorët e frikësuar u larguan nga qytetet e bombarduara.

Në qytetin Irpin, në skajin veriperëndimor të Kievit, banorët janë larguar me vrap, duke bartuar fëmijët e tyre të vegjël në karroca, ose në krahë.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha se ofensiva ruse vazhdon, edhe pse me një ritëm dukshëm më të ngadaltë.

Pushtimi  rus ka krijuar 1.7 milionë refugjatë, dhe ka nxitur një sërë sanksionesh ndaj Moskës dhe frikë nga një konflikt më i gjerë, ndërsa Perëndimi dërgon ndihma ushtarake në Ukrainë.

Rusia i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special”, për të cilin thotë se nuk është krijuar për të pushtuar territore, por për të shkatërruar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të kapur ata që ajo i konsideron si nacionalistë të rrezikshëm.

Kievi ka refuzuar ofertën e Moskës për korridoret e mundshme humanitare drejt Rusisë dhe Bjellorusisë.

Sidoqoftë, Moska që nga atëherë ka propozuar që t’u jepet banorëve të qyteteve Sumy dhe Mariupol të zgjedhin të lëvizin diku tjetër në Ukrainë të martën, duke vendosur një afat përfundimtar deri në orët e para të mëngjesit për Kievin për ta pranuar, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Pas përpjekjes së tretë për të lehtësuar gjakderdhjen në bisedimet në Bjellorusi, negociatorët paralajmëruan të mos prisnin që raundi tjetër të sjellë një rezultat përfundimtar. Ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas pritet të takohen në Turqi të enjten.

Pak para nisjes së bisedimeve, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i tha agjensisë së lajmeve Reuters se Moska do të ndalojë operacionet nëse Ukraina pushon së luftuari, ndryshon kushtetutën e saj për të deklaruar neutralitetin dhe njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe pavarësinë e rajoneve të mbajtura nga separatistët e mbështetur nga Rusia.