NDAHEN MJETET FINANCIARE PËR 100 ASISTENTË PËR FËMIJËT ME NEVOJA TË VEÇANTA

- in Lajme

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shkruar se sot ka dërguar njoftim me shkrim në drejtoritë komunale të arsimit për procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyre që punësimi i tyre të bëhet në tre mujorin e parë të këtij viti.

 

Nagavci ka shkruar në Facebook se një tjetër zotim i tyre po përmbushet.

Sipas saj, ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë sonë.

“Në përmbushje të prioriteve të këtij viti për rritjen e përfshirjes, ofrimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në Ligjin Nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta. Tani do të vazhdojmë bashkëpunimin me komunat dhe do ta monitorojmë këtë proces për së afërmi për t’u siguruar që punësimi i tyre të bëhet brenda kohës së paraprarë dhe nevojave të identifikuara nëpër komuna. Pikësynim i Qeverisë sonë mbetet që deri në fund të mandatit t’i kemi 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla. Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit të personave me aftësi të kufizuara” dhe mbesim të përkushtuar që fëmijëve tanë t’ua lehtësojmë qasjen në arsim të barabartë dhe cilësor”, ka shkruar ajo.