SERBIA LUFTË “DHËMBË PËR DHËMBË” MË SHQIPËRINË PËR TREGUN E KOSOVËS

- in Lajme, Shqipëri

Mallrat e Serbisë vështirë se mund të largohen ndonjëherë nga Kosova. Prania e tyre vetëm është rikthyer përsëri në këtë vit, duke u bërë sërish partneri kryesor i Kosovës nga vendet e rajonit, pas rënies së fortë në 2019-n. Sivjet shifra e importit nga Serbia është për 50 milionë euro më e lartë sesa vitin e kaluar.

Shqipëria dhe Serbia vazhdojnë të jenë në “luftë” për të marrë sa më shumë treg të Kosovës me produktet e importuara. Mirëpo, edhe pas shumë vitesh, fituese e kësaj “lufte”, është rikthyer sërish Serbia.

Pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën, shkruan lajmi.net.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.

Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.

“Kulmi” u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë të hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.

Pushtimit ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10% së pari, e pastaj 100% që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.

Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s’po pranohej assesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase.

Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.

Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s. Fqinji verior, dërgoi përgjatë vitit 2020 produkte në vlerë prej 190,980,000 euro. /Lajmi.net/