BËHET THIRRJE PËR PËRZGJEDHJE TË KUJDESSHME TË TRAJNERIT TË RI TË KOSOVËS

- in Sport

Që nga shkarkimi i Bernard Challandes, Kombëtarja e Kosovës vazhdon të jetë pa trajner, derisa Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se janë duke u vlerësuar emrat potencial për këtë pozitë dhe se një vendim final do të merret në muajin mars.

 

Vitit 2021 përfundoi me një bilanc negativ për “Dardanët” duke pësuar katër humbje dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit, duke provuar kështu se as trajneri i përkohshëm Primos Gliha nuk solli freski në skuadër e cila dukej se kishte humbur motivin për të marrë rezultate pozitive.

Tek sa po ofrojnë ditët kur do të vendoset për trajnerin e ri, analistët dhe trajnerët vendorë bëjnë thirrje që kjo përzgjedhje të bëhet me kujdes maksimal dhe se nga trajneri i ri duhet kërkuar rezultate maksimale, si dhe ngritjen e nivelit të lojës së Kosovës.

Trajneri Bylbyl Sokoli ka thënë se ishte i befasuar me vendimin e FFK-së për ta emëruar Glihan si trajner të përkohshëm, ndërsa ka thënë për KosovaPress, se Kombëtares së Kosovës i nevojitet një trajner gjerman që do të sille disiplinë dhe rend në skuadër.

Sokoli: Kosovës i duhet një trajner gjerman

“Pas ikjes se Challandes u vendos një trajner për dy ndeshje që unë nuk e kuptoj dhe askush që punon në futboll nuk e kupton si mund të angazhohet një trajner me një CV shumë modeste që të udhëheq ekipin për këto dy ndeshje, si do që të jetë tani jemi në periudhën kur Federata e Futbollit gjegjësisht presidenti kanë për detyre ta zgjedhin përzgjedhësin i cili do t’i prijë Kosovës, kjo është nën kompetencat e presidentit direkt…Tani jemi në situatë që të zgjedhim një trajner i cili duhet t’i vë themelet më të fuqishme ekipit të përfaqësueses së Kosovës, që do të thotë se duhet të marrim një model i cili është i përshtatshëm. Unë kam thënë që trajnerët gjerman janë trajner të cilët punojnë në organizimin para se gjithash të mirëfilltë të ekipit zinxhirë, krijojnë rend, krijojnë disiplinë…Nëse kishte me qenë trajner shqiptar, trajner i ynë, e kemi Hasin i cili po tregon rezultate, është më CV të pasur, po ashtu edhe Kozniku mund të jetë njëri prej trajnerëve që mund t’i prijë Kosovës”, tha Sokoli.

I befasuar që në mesin e emrave potencial për trajner të Kosovës nuk po përmenden trajnerët vendor është Arbnor Morina. Trajneri i Ferizajt ka thënë se shumë emra që janë përfolur deri më tani janë emra të dështuar si trajner ose që nuk janë duke e ushtruar këtë profesion. Sipas tij, trajneri i ri duhet të jetë vazhdimisht i pranishëm në Kosovë, pasi që ka shumë punë për t’u bërë.

Morina: Jam i befasuar që trajnerët vendorë nuk po konsiderohen për stolin e kombëtares

“Tani jemi në situatën që po pritet trajneri i ri, po përfolen emra të shumtë të futbollit evropian. Ajo që mua më ka penguar që nuk kam parë asnjë emër shqiptarë brenda atyre emrave dhe po vazhdon ajo që njerëz të cilët shikojnë futboll të kenë preferenca prej emrave më të ndryshëm edhe pse unë personalisht mendoj që shumë prej atyre që janë përmendur si ish-futbollistë të famshëm, si trajnerë kanë qenë të dështuar apo trajnerë të cilët në vitet e fundit nuk janë duke punuar që është prapë një hendikep dhe mendoj që neve na nevojitet një trajner i cili është më tepër punëtor i madh i cili do të jetë prezent më tepër në Kosovë se sa në vendlindjen e tij apo në shtetin prej nga ka me ardhë dhe një trajner i tillë do të ishte shumë i mirëseardhur për arsye se ka shumë punë për t’u bërë dhe një trajner i cili do t’i kthejë sytë nga Superliga e Kosovës”, theksoi Morina.

Kurse, Arsim Plepolli shprehet se Federata e Futbollit të Kosovës duhet të jetë e prerë me trajnerin e ri nga i cili duhet të kërkohet asgjë më pak se kualifikimi tutje nga grupi i Ligës së Kombeve. Sipas tij, Kosova tani duhet të kërkojë rezultatet konkrete dhe jo të kënaqet me paraqitje të mira.

Plepolli: Nga trajneri i ri duhet të kërkohet rezultat kulminant në Ligën e Kombeve

“Tani duhet të mendojmë mirë se kush duhet të vijë. Unë po shoh nëpër mediume dhe televizione që ka shumë kandidatë për të ardhur në reprezentacionin e Kosovës që është shumë mirë për neve. Neve na duhet një selektor që është me karakter të fortë dhe që ka një bagazh në këso gara që në të mund të shkojmë tutje…Kusht është kualifikimi, ne nuk jemi tani që të marrim një trajner dhe të na mbajë ligjërata dukë thënë i kemi lojtë e mira, këtë e kërkon gjithë populli, e kërkon federata ”, tha Plepolli.

Për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, Kosova është shortuar më Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjes Qipro-Estoni.