Aktiviteti i parë i vitit 2021 për Kombëtaren e Kosovës do të jetë në ndeshjen kundër Kombëtares së Katarit, ndeshje kjo në kuadër të grupmoshave U21.
Me datën 26 mars, Kosova do të zhvillojë këtë miqësore në Doha të Katarit, ku pas kësaj ndeshjeje ekziston mundësia që të zhvillohet edhe një tjetër miqësore pas tre ditësh, përcjell KosovaPress.
Kjo miqësore vjen si arsye e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy federatave.
Për shkak të pandemisë Covid-19, ende nuk është konfirmuar lista e lojtarëve nga përzgjedhësi gjerman Michael Nees, ku nuk dihet nëse klubet përkatëse të tyre mund të lejojnë udhëtimin drejt Katarit.
Po ashtu, tekniku gjerman do të ketë rastin të debutojë si trajner i Kombëtares së Kosovës në kuadër të grupmoshave U21, i cili do të ketë në dispozicion futbollistë të gjeneratës 2000/01.
Kjo miqësore do të shërbejë si parapërgatitje për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2023, ku Kosova gjendet në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën e Çekisë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën.
Ndeshja e parë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2023 do të zhvillohet me datën 8 qershor./KosovaPress