Familja e të ndjerit Luan Berisha, po e konsideron të pamatur deklarimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se `Luan Berisha u vetëvra`.
Kjo deklaratë e ministrit të brendshëm, transmetuar mbrëmë në edicionin e lajmeve në Klan Kosova, ku i thoshte kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca se ‘’Luan Berisha u vetëvra’’, nxiti edhe më shumë reagime në familjen Berisha.
Në një reagim të tyre për Klan Kosovën, avokati i familjes së të ndjerit, Flakron Sylejmani, thotë se deklarimet e tilla janë të dëmshme dhe vetëm sa e komplikojnë hetimin e drejtë dhe të pandikuar.
”Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pamatur të dëmshëm dhe joprofesional. Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetërorë e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre”.