Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia pasi nuk mundi ta formojë “Serbinë e Madhe” përmes Kosovës, tash po e synon këtë përmes Bosnjë e Hercegovinës.
“Serbia e ndihmuar nga Rusia ka rifilluar krijimin e “Serbisë së Madhe” nga Bosnje e Hercegovinë, pasi nuk mundi ta bëjë këtë nga Kosova. Tensionet për ndarjen e Bosnjës po arrijnë pikën e vlimit, duke nxitur destabilizimin dhe luftërat e mundshme. Iniciativa “Open Balkan” shërben si mbulim fals…”, ka shkruar Tahiri në Twitter.
Tension dhe frikë u përhap në Bosnjë e Hercegovinë pasi përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe tha se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Gazeta britanike “The Guardian” tha se ka parë një raport për Kombet e Bashkuara se Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.