DËSHMITARI I DYTË NË RASTIN GUCATI-HARADINAJ:NUK JAM I LUMTUR QË PO DËSHMOJ

- in Lajme

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuara. Halil Berisha që ishte gazetar në kohën kur ndodhi ngjarja po dëshmon në Hagë për këtë çështje, për çka në fillim të seancës ka thënë se nuk ndjehet i lumtur që është dëshmitar por që ka qenë i obliguar ta bëjë.

 

Berisha po shoqërohet nga avokati kosovar Arianit Koci.

Berisha: Nuk jam i lumtur që po dëshmoj por jam këtu sepse më keni obliguar

“Desha të them që nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para juve, kjo assesi nuk ka me e pengu fakti në unë kam me thënë vetëm të vërtetën, unë këtu jam sepse më keni obliguar por përndryshe nuk jam shumë i lumtur që jam sot këtu”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Para dëshmitarit Berisha, trupi gjykues për gjashtë ditë me radhë ka dëgjuar dëshmitaren Zdenka Pumper, hetuese në ZPS.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. /G.Kadrija