DEZINFORMATAT DHE DRAMATIZIMI NGA MEDIAT SERBE E RUSE PËR SITUATËN E VERIUT

- in Lajme

Situata në veriun e Kosovës ka prodhuar një mori dezinformatash ditëve të fundit. Kanë qarkulluar dezinformata të ndryshme, por me qëllim të njëjtë, propagandimin lidhur me zhvillimet në pjesën veriore të shtetit të Kosovës. Temat e ndjeshme gjithmonë janë tërheqëse për ata që prodhojnë propagandë dhe çështja e veriut padyshim është një nga to. Nga dita e parë e bllokimit të rrugëve në afërsi të kufirit me Serbinë, në internet kanë vërshuar dezinformatat që burim kishin kryesisht mediat serbe dhe ruse.

Pozitive në gjithë këtë ishte reagimi i institucioneve kosovare, që në vazhdimësi u përpoqën të demantojnë dezinformatat që kishin të bënin drejtpërdrejt me to, mirëpo edhe një herë nënvizohet domosdoshmëria për një strategji dhe ndërtim të kapaciteteve institucionale për të luftuar dezinformatat dhe propagandën anti-shtetërore.  Rasti i reagimit të Ministrisë së Mbrojtjes më 24 shtator, pas dezinformatave se FSK-ja po përgatitet të hyjë në Veri është një nga shembujt e reagimit institucional. I tillë ishte edhe reagimi i Policisë së Kosovës, kur demantoi dezinformatën se njësia speciale kishte rrahë tre serbë në Bërnjak.  Portali serb në Kosovë, ‘Kosovo-online’, më 23 shtator kishte raportuar se tre serbë ishin rrahur në Zubin Potok nga pjesëtarët e njësisë speciale të Kosovës. Një ditë më parë, të njëjtin portal, Policia e Kosovës e kishte demantuar për një tjetër dezinformatë, kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një qytetar të komunitetit serb dhe KFOR-i e ka parandaluar incidentin. Edhe më 21 shtator, Policia e Kosovës kishte reaguar ndaj dezinformatave që vinin nga Serbia dhe që kishin të bënin me situatën në Veri. Një tjetër rast ishte dezinformata e publikuar nga portali ‘Kosovo-online’ kinse pjesëtarë të zjarrëfikësve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë larguar flamurin serb nga transmetuesi i operatorit serb të telefonisë, “MTS”. Kjo ishte demaskuar edhe nga media kosovare që merret me verifikimin e fakteve, Hibrid.info. Në këtë qarkullim informacionesh të pavërteta ishte përfshirë edhe Igor Simiç, nënkryetari i Listës Serbe, pasi kishte shpërndarë në faqen e tij në Facebook dezinformatën se Njësia Speciale e Kosovës qëllimisht ka dëmtuar dhjetëra automjete të serbëve në pikën kufitare në Bërnjak, megjithatë kjo ishte demantuar nga Policia e Kosovës. E njëjta dezinformatë ishte shpërndarë edhe në disa media serbe.

Tituj sensacional apo edhe tendencioz janë përdorë në vazhdimësi nga media që kishin për qëllim propagandën dhe dezinformimin. Gjithashtu, dezinformata që synonin për të dramatizuar situatat haseshin te mediet serbe “Kosovo Online”, “Sputnik Serbia”, etj. “Kosovo Online” kishte tituj të tillë si “Dramatike në Bërnjak: Forcat speciale u përpoqën të nxirrnin një serb nga vetura, KFOR parandaloi incidentet”, sikurse edhe media tjetër serbe, “Telegraf”, ndërkaq te “Sputnik Serbia”, media që kontrollohet nga Rusia, publikoheshin dezinformata me tituj: “Vuçiq për hyrjen e ushtrisë në KiM: I thashë qartë NATO-s, do të presim 24 orë”, “Dramë në Bërnjak: Forcat ROSU rrahën tre serbë”, etj. Fjalën ‘dramë’ e përdorën edhe gazetarë të tjerë në Serbi, sikurse rasti i “Kurir”: “Dita 3: Dramë në Bërnjak, ROSU u përpoq të nxirrte një serb nga makina!”.