KURTI: MASAKRA NË REZALLË, DËSHMI E GJENOCIDIT QË SERBIA KA KRYER NË KOSOVË

- in Lajme

Më shumë se dy dekada familjarët kanë derdhur lot mbi varre të zbrazura. Larg vendlindjes së tyre, të masakruar, shumë eshtra u mbuluan në varreza masive, që të mos dihet kurrë për fatin e tyre.

 

Pas 22 vjetësh, shtatë familjeve të Rrezallës u janë kthyer eshtrat e më të dashurve të tyre. Ndërkaq, dy të tjerave, trupa që u përkasin masakrës së 5 prillit, janë ribashkim i mbetjeve mortore të gjetura në vitin 2014 në Rudnicë.

Në pikën kufitare në Merdare pasditen e sotme, kanë arritur eshtrat e kosovarëve. Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ekzaminojë sërish këta trupa, e më pas do të organizohet ceremonia e varrimit në Rezallë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kanë për detyrë që para Serbisë të këmbëngulin për drejtësi dhe të dihet për fatin e mbi 1600 personave. Sipas tij, mungesa e përgjigjes për fatin e personave të zhdukur tregon krimin e planifikuar të Serbisë.

Kurti: E madhe është dhimbja e kësaj dite

“8215 ditë, askush nuk mund ta dijë apo kuptoj peshën e rëndë e mungesës që koha ka shtuar mbi plagët e shpirtit tuaj. E madhe është dhimbja e kësaj dite. I dhimbshëm e i ftohtë ky ritakim i familjeve që sot po ua kthejmë më të dashurit e tyre. E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë të cilët ankthi i pritjes nuk ka fund. Fëmijë, tani të rritur, bashkë me pritjen për një përgjigje, pleq që nuk dinë për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre. Nuk ka fjalë që përshkruan boshllëkun tuaj, e ndonëse janë shumë të vogla përballë dhimbjes per të dashurit tuaj, fjalët tona duhet të thuhen e përsëriten me zë të lartë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se masakra në Rezallë është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për dy dekada, theksoi, se familjarët nuk lejuan të heshtën krimet serbe që ndodhën në luftë.

Kurti: S’ndalemi derisa t’ua sjellim fëmijët në vendlindje dhe drejtësinë për ta

“Nuk mund të ndalemi derisa t’ua sjellim fëmijët në vendlindje dhe drejtësinë për ta. Ne kemi për detyrë që të këmbëngulim te Serbia si përgjegjëse për zhdukjen e tyre që sa më shpejt të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë. Për këtë arsyeje të zhdukurit janë çështja e parë në raportin e Kosovës me Serbinë. Për këtë arsyeje kemi insistuat në çdo takim për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për varrezat e tjera masive. Përgjegjësit e krimeve të luftës vazhdojnë të cilësohen si heronj në Serbi dhe të mbajnë role publike, nga të cilët vazhdojnë të promovojnë politikat e njëjta që sollën kaq shumë shkatërrim e vuajtje për ne dhe për rajonin”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se këta trupa po kthehen sërish në vendlindjen e tyre, ku i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, që të tregojë për vendndodhjen e kosovarëve.

Jashari: Bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion mbi Serbinë

“Si komunë sapo të përfundojnë procedurat ligjore do të kujdesemi për rivarrimin e më të dashurve në kompleksi e varrezave të masakrës në Rezallë. Para eshtrave të tyre bëj apel që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion mbi Serbinë, e cila tash e 22 vjet pas luftës ende mban peng eshtrat, ende nuk ka dhënë përgjegjësi”, ka deklaruar Jashari.

Djali i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hotit, Andini i cili është edhe kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se masakra e 5 prillit kthen kujtimet më të tmerrshme me varrimin e shtatë trupave dhe dy ribashkimeve.

Hoti: Nuk mund të shërohen plagët dhe dhimbja

“Jemi të vetëdijshëm që nuk mund t’ua heqim dhimbjen dhe plagën nuk mund ta shërojmë, por uroj që t’ua kemi lehtësuar sado pak… Instituti i Mjekësisë Ligjore bashkë me ne do t’i merr trupat nga këtu për ekzaminim të mëtutjeshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Pastaj në koordinim me familjarët do t’u dorëzojmë dhe organizojmë ceremoninë e varrimit”, ka deklaruar Hoti.

Sot janë kthyer trupat e Shefqet Zabelit, Sadri Zabelit, Dibran Rukollit, Jonuz Rukollit, Etem Deliut, Nazir Deliut dhe Nazif Hoti që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë. Bashkë me ta ishin varrosur në këtë varrezë masive edhe Vesel Deliu dhe Behram Rukolli, eshtrat e të cilëve ishin gjendur në Rudnicë të Rashkës.