URSULA VON DER LEYEN: DIALOGU, RRUGA E VETME PËR ZGJIDHJEN NË VERI

- in Lajme

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është shprehur e shqetësuar me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, pas tensionimit për shkak të reciprocitetit për targa.

 

Ajo ka bërë thirrje për de-eskalim të situatës dhe zgjidhje të problemit nga kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Në një konferencë për medie, udhëheqësja e Komisionit Evropian tha se është me rëndësi jetike normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jam e shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe duhet të de-eskalojë situata. Negociatorët janë duke i diskutuar këto çështje dhe shpresoj që të zgjidhen problemet”, tha ajo.

Presidentja e KE-së tha se edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë ndërmjet veti.

“Ne kemi ofruar fondet përkatëse dhe tash na nevojitet një sistem që duhet ta dizajoni ju për të shfrytëzuar më shumë se 20 miliardë euro investime. Të gjashtë partnerët duhet të ecin përpara në një shpejtësi drejt një tregu të përbashkët rajonal”, tha ajo.