Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, sot në ditën e parë të fushatës e ka bërë prezantimin e programit qeverisës.
Ai i ka shpalosur detajisht projektet që planifikon t’i implementojë gjatë qeverisjes së tij nëse do të vijë në krye të Prishtinës.
Ndërkohë, Haradinaj në një postim të tij në Facebook ka thënë se programi i tij për Prishtinën buron drejtpërdrejt nga nevojat e qytetarëve.
“Ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm dhe zbatimi i Ligjit për Kryeqytetin janë tema që do të trajtohen me urgjencë që në fillim të mandatit tim. Formimi i Policisë së Kryeqytetit do të ndikojë direkt në rritjen e sigurisë në Prishtinë”.
“Trajtimi i kaosit urbanistik dhe legalizimi i mbi 46 mijë njësive banesore janë vetëm disa nga pikat programore që do të implementohen gjatë gjashtëmujorit të parë qeverisës. Planin tonë për Prishtinën do ta shpalosim çdo ditë, pranë qytetarit dhe me qytetarin. Prishtinën do ta bëjmë vend që të gjithë dëshirojmë ta kemi shtëpi, dhe e cila do të na bëjë krenarë!”, ka shkruar ai.