VRASJET QË TRONDITËN KOSOVËN KËTË VIT, KËTO JANË DISA NGA RASTET MË TË RËNDA

- in Lajme

Vrasja e dyfishtë që ndodhi të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, ka tronditur gjithë Kosovën, ndërkaq kjo ishte pa dyshim njëra nga vrasjet më të rënda që kanë ndodhur këtë vit në vendin tonë.

Mbrëmë nga gjuajtja me armë zjarri, kanë mbetur të vdekur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i kësaj partie, Blerand Kadrijaj.

Ndërkaq, edhe sot, një ditë më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj dhe Prokurorja e Rastit, Valbona Haxhosaj me një numër të madh hetuesish ku po vazhdojnë punën për zbardhjen e rastit.

Në territorin e vendit tonë, sipas të dhënave që Policia e Kosovës i ka bërë të ditura për Telegrafin, vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur 21 vrasje, prej të cilave 9 janë cilësuar si vrasje nga Neni 172 dhe 12 janë vrasje të rënda nga Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pamje nga Peja, pas vrasjes së Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijajt

Më poshtë ju sjellim listën e disa prej vrasjeve që kanë tronditur Kosovën këtë vit:

Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj

Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Të dyshuarit për vrasjen e Marigona Osmanit

Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, ndërkaq u bë e ditur më vonë se Marigona ishte torturuar dy ditë me radhë fizikisht e psiqikisht, deri në vdekje.

Vrasja që tronditi Kosovën e më gjerë, po hetohet nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Marigonës iu dha lamtumira e fundit më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt, teksa dy të dyshuarit gjenden në paraburgim./Telegrafi