(E plotësuar) Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka paralajmëruar nevojën për vaksinimin me dozën e tretë kundër Covid 19, derisa ka theksuar se situata epidemiologjike është ende e brishtë dhe se nuk do të ketë lirim të masave as pas 13 shtatorit.
Në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë, ministri Vitia tha se rënia e rasteve ditëve të fundit jep shpresë për një fazë më qetësuese në raport me ditët dhe javët e kaluara.
“Situata epidemiologjike edhe pse në tri katër ditët e fundit ka pasur një tendencë të rënies me pozitivitet nën 10 përqind, nga mbi 20 përqind që ishte para dy jave, vazhdon të jetë e brishtë dhe jo stabile. Por me një pozitivitet mestar javor prej 10.5 përqind në këtë javën e fundit jep shpresë se është në një fazë qetësimi në raport me ditët dhe javët e kaluara”, tha ai.
Krahas kësaj, ministri Vitia tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK)ka rekomanduar nevojën për vaksinimin me dozën e tretë, sipas tij Ministria e Shëndetësisë(MSH)veçse ka filluar negocimin me kompanitë prodhuese për sigurimin edhe të 1 milion vaksinave të tjera për vitin e ardhshëm.
“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë, sipas rekomandimeve të fundit që na ka ardh nga IKShPK, kurdo që shihet e domosdoshme. Sidomos kjo vlen për grupet e ndjeshme të popullatës. Grupi negociues në Ministrinë e Shëndetësisë vetëm ka filluar negocimin me kompanitë prodhuese për sigurimin edhe të 1 milionë vaksinave të tjera për vitin tjetër”, tha ai.
I pyetur për mundësitë e lehtësimit të masave restriktive pas datës 13 shtator, deri edhe kur janë të vendosura, Vitia tha se në bazë të situatës epidemiologjike s’pritet të ketë lehtësim dhe as lirim të masave.
“Sipas situatës epidemiologjike momentale nuk pritet që të ketë lehtësim të masave, por natyrisht kjo do të jetë një përfundim pas takimit me komitetin, ekspertët dhe rekomandimeve të IKShPK-së. Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë deri sa kemi një situatë epidemiologjike të brishtë”, shtoi Vitia.
Duke bërë thirrje për vaksinim, Vitia tha se me shtimin e kapaciteteve dhe vaksinave synojnë të administrojnë mbi 25 mijë vaksina në ditë.
“Me angazhimin edhe të 400 profesionistëve shtesë, ekipet e vaksinimit synohen të rriten më tej dhe të arrijmë që brenda ditës të administrojmë mbi 25 mijë vaksina. Natyrisht duke përfshirë edhe të dielën që po vjen. Pra vaksina ka dhe termine ka”, tha Vitia.