Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në tempullin ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Greqinë, raporton RTKLive.com.
‘Dardanët’ dhe grekët ballafaqohen në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës ‘Katar 2022’.
Kombëtarja jonë në duel me grekët hyn pas fitores historike kundër Gjeorgjisë. Skuadra jonë dhe skuadra grekë mbrëmë në ‘Fadil Vokrri’, kanë mbajtur seancën e fundit para duelit të sotëm, sfidë kjo tejet e rëndësishme për të dy kombëtaret.
Përzgjedhësi i Kombëtares sonë, Bernard Challandes dhe homologu i tij, John van Schip, e kanë vlerësuar të vështirë dhe të rëndësishëm ndeshjen e sontme.
Challandes theksoi së është i lumtur me lojën që shfaqur ekipi i tij në fitoren ndaj Gjeorgjisë. Tekniku zviceran thotë së sfida me Greqinë do të jetë e vështirë.
“Jam shumë i kënaqur me ndeshjen në Gjeorgji, jo vetëm për fitoren por edhe për paraqitjen e skuadrës. Jemi treguar të gatshëm qoftë në aspektin teknik dhe aspekte të tjera. Skuadra ka punuar si skuadër dhe kjo është më e rëndësishmja për të ardhmen e kësaj skuadre. Do të jetë e vështirë në ndeshjen e radhës kundër Greqisë”, ka thënë Challandes.
Ndërkaq, trajneri i Greqisë, John van Schip, ka lavdëruar skuadrën e Kosovës.
Sipas tij, Kosova është një Kombëtare tepër e fortë dhe dita ditës po rritet edhe më shumë.
Duke bërë krahasimin me ndeshjet e kaluara mes Kosovës dhe Greqisë, Schip ka thënë se ato dy ndeshje duhet të harrohen dhe ata duhet të fokusohen në ndeshjen e radhës.
“Ka qenë dy ndeshje tjera ato me Kosovën. Çdo ndeshje ndryshon dhe ne nuk duhet që të bëjmë krahasime të tillë. Ne nuk duhet nënvlerësuar Kosova dhe ne duhet të bëjmë më të mirën nesër në fushë”, ka thënë Schip.
Ndeshja mes Kosovës-Greqisë, nis në orën 20:45 dhe transmetohet live në RTK. /RTKLive/