Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur detaje nga takimi që ka pasur me përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore në lidhje me gjendjen me pandeminë COVID-19 dhe vaksinimin kundër kësaj sëmundjeje.
Vitia ka thënë se në bazë të gjendjes të cilën do të përcjellin vazhdimisht dhe raportimeve të fundit, nuk përjashtohet mundësia të ketë masa të reja para datës 13 shtator.
Ai tha, “Jemi detyruar të marrim masa në bazë të rekomandimeve, duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve. Duhet kuptuar dhe theksuar se në situatën në të cilën ndodhemi këto masa kanë qenë dhe janë të domosdoshme”.
“Këto masa janë në fuqi deri më 13 shtator dhe natyrshëm zbatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Edhe sot gjatë takimit u dakorduam që të gjitha institucionet të do të përcjellin për ditë situatën në terren dhe para 13 shtatorit do të kemi edhe takime të tjera, por edhe një takim, ku do të vendoset si do të procedojmë tutje. Kjo nuk e përjashton mundësinë e masave të reja para kësaj date sipas këtyre raportimeve dhe rekomandimeve nga punonjësit shëndetësor”, tha Vitia.
“E ndjej të nevojshme të përmend se nga mesatarisht 1 mijë e 200 të hospitalizuar, rreth 91 për qind kanë qenë të konfirmuar me COVID-19, prej atyre që janë të hospitalizuar dhe të konfirmuar me COVID-19, 93 për qind prej tyre kanë qenë të pa vaksinuar”, tha Vitia.
Gjatë kësaj javë fatkeqësisht kemi pasur 170 persona që kanë humbur jetën, dhe nga ta 149 kanë qenë të pa vaksinuar.
“Valë të reja mund edhe do të pasojnë pas kësaj, ato janë të pashmangshme, vetëm vaksinimi mund i parandalon këto valë. Pavarësisht numrit të shtuar, analiza ka treguar se imuniteti kolektiv nuk është arritur akoma.”, tha Vitia gjatë konferencës për medie.
Ministri i Shëndetësisë tha se me intensitetin e njëjtë të vaksinimit si në javët e fundit, mund të parandalohen valët e reja të COVID-19.