Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Velko Odaloviq, theksoi se Beogradi është gati të vazhdojë dialogun në Bruksel dhe të diskutojë për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
Ai vlerëson se Prishtina “po ikën” nga dialogu me kushtet, kërkesën për heqjen e tij dhe hapjen e arkivave, edhe pse “ai personalisht ua dorëzoi atyre afro 2.500 faqe dokumente të ndryshme, dhe po kërkon një arsye për dështimin e tij”.
“Çfarë lloj arkivash po kërkojnë, ata duhet të specifikojnë. U ra dakord një vit më parë kur tema hyri në dialog, që të gjitha palët të hapnin arkiva. Ne nuk kemi marrë asnjë letër nga Prishtina, as një dokument për ndonjë vend, dhe gjithçka që ne japim dokumente, deklarata, informacion, skica, plane ishin në funksion të kërkimit të shqiptarëve të Kosovës, që është prioriteti i tyre, “tha Odaloviq, përcjell B92.
Odaloviq vlerësoi se është mirë që në Bruksel të vazhdojë dialogu teknik në fillim të shtatorit.
“Do të ishte e rëndësishme të flitej për kërkimin e të zhdukurve, për mekanizmin, për problemet që lidhen me procesin. Nëse vendosen kushte që nuk mund të përmbushen, dikush me këtë dëshiron të shmanget nga dialogu, mendoj se tani Prishtina po e shmang atë”, tha ai.
Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Në shtator 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, kishin theksuar se pikat e marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë.
Ndërkaq, në qershor të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur dhe se është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.