Miratimi i ardhshëm i euros në Bullgari dhe Kroaci, pavarësisht përfitimeve, mund të krijojë dobësi për dy vendet për sa i përket politikës ekonomike, deklaroi Banka Qendrore Europiane (BQE).
Miratimi i një monedhe globale si tender ligjor nxit stabilitetin monetar, i cili nga ana tjetër manifestohet në një mjedis të qëndrueshëm dhe me normë reale interesi, por ky përfitim mund të ekspozojë gjithashtu vendin ndaj dobësive nëse stabiliteti monetar konsiderohet si një zëvendësim i politikave ekonomike, tha BQE në buletinin e saj më të fundit ekonomik.
“Nga pikëpamja e politikës, adoptimi i euros është një mundësi, megjithëse jo një garanci, për vendet anëtare, për të korrur përfitime thelbësore”, vuri në dukje BQE.
BQE deklaroi më 10 korrik 2020, se do të pranonte Bullgarinë dhe Kroacinë në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit (ERM II), paradhoma për hyrjen në euro. Në atë kohë, BQE-ja theksoi një ‘angazhim të vendosur’ nga autoritetet përkatëse ‘për të ndjekur politika të shëndosha ekonomike me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar dhe arritjen e një shkalle të lartë të konvergjencës ekonomike të qëndrueshme’.
Në mënyrë që të aplikojnë për anëtarësimin në Eurozonë, Kroacia dhe Bullgaria duhet të kalojnë rreth dy vjet e gjysmë në ERM II dhe të plotësojnë të gjitha kriteret e Mastrihtit për konvergjencën e euros. Mekanizmi siguron që luhatjet e kursit të këmbimit midis euros dhe monedhave të tjera të BE-së, nuk do të prishin stabilitetin ekonomik brenda tregut të përbashkët. Ai i ndihmon gjithashtu vendet jashtë Eurozonës për t’u përgatitur për t’u bashkuar me Eurozonën.
Angazhimet e mëparshme të bëra nga autoritetet bullgare dhe kroate në vitet e fundit, kanë nxitur imponimin e masave të rëndësishme për të zbutur rreziqet nën ERM II, tha BQE. Sidoqoftë, duhet bërë progres i konsiderueshëm në lidhje me cilësinë e përgjithshme të institucioneve dhe qeverisjes. Në këtë drejtim, një vështrim afatgjatë mbi politikëbërjen do të jetë vendimtar në të ardhmen, veçanërisht duke marrë parasysh rreziqet e reja të divergjencës të shkaktuara nga goditja e koronavirusit, vuri në dukje institucioni financiar.
Këto përpjekje të politikës gjithashtu duhet të përfshijnë masa për të parandaluar që ndryshimi në euro të shfrytëzohet nga kompanitë dhe përcaktuesit e çmimeve si një justifikim për rritjen e çmimeve që mund të dëmtojë besimin e popullsisë në monedhën e përbashkët, shtoi BQE.
Autoritetet kombëtare të Bullgarisë dhe Kroacisë, në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe BQE-në, mund të përfitojnë nga përvojat e kaluara me ndryshimin e monedhave në euro në vendet e tjera, të cilat kanë përfshirë masa si, fushatat publike dhe ndikimin e çmimeve në dy monedha, përfundoi BQE./RTK