ZHUBI: REZERVAT E GJAKUT JANË TË MJAFTUESHME PËR GJITHË PACIENTËT

- in Shëndetësi
Ndonëse kërkesat për gjak janë rritur, drejtoresha e Transfuzionit të  Gjakut thotë se ka rezerva të mjaftueshme për gjithë pacientët.
Sasitë e gjakut kryesisht sigurohen nga vullnetarët dhe familjarët e të sëmurëve. Ndërkohë vullnetarët janë të të gjitha moshave dhe të gjitha grupeve të gjakut.
Rreth 90 për qind të nevojave të pacientëve për gjak në institucione publike shëndetësore në Kosovë, sigurohen nga dhuruesit vullnetarë të gjakut. Kurse pjesa tjetër, mbulohet nga familjarët, kryesisht për grupet e gjakut që janë më të rralla, thonë zyrtarët shëndetësorë.
Pavarësisht se ku trajtohen pacientët, në institucion publik ose privat, kanë të drejtë të kenë qasje në doza të gjakut. Në bazë të një udhëzimi administrativ, spitalet private janë të obliguara të bëjnë marrëveshje me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe të marrin gjak në rast nevoje për ndonjë pacient.
Por me shpërfaqjen e pandemisë me COVID-19, është rritur edhe nevoja e pacientëve për gjak. Kjo sidomos në kohën kur pacientët me COVID trajtoheshin me plazmë gjaku.
Drejtoresha në Qendrën për Transfuzion të Gjakut, Bukurije Zhubi, ka thënë se duke pasur parasysh situatën me COVID-19, ka pasur një shtim të punës dhe kërkesa të mëdha për gjak. Por me dhurimin vullnetar është arritur të mbulohen nevojat dhe kërkesat e pacientëve.
 ‘’ Dhurimi i gjakut ka qenë akt human gjithmonë që të sigurojmë rezerva për ata që kanë nevojë. Përmes sesioneve që i kemi pasur, kemi arritur të sigurojmë sasi të konsiderueshme të gjakut”, tha ajo.
Njëra nga klinikat që vazhdimisht ka nevojë për gjak, është edhe ajo e emergjencës. Mjekët aty kanë deklaruar se që nga viti 1999, nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut janë mbuluar 100 për qind me dozat e nevojshme të gjakut të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë nga familjarët dhe vullnetarët.
Njëri nga vullnetaret i cili prej vitesh dhuron gjak, është Mentori. Ai për Radio Kosovën ka thënë se këtë gjest e bënë si shenjë humaniteti, pasi mendon se gjaku shpëton jetë.
 ‘’Deri sa jam mirë me shëndet, jam i gatshëm gjithmonë të dhuroj gjak/ mendoj se ka rëndësi të madhe, për shkak se shpëtoj jetë. Por mendoj edhe për të ardhmen, pasi unë kam kartelë nga institucioni i transfuzionit, që në të ardhmen nëse kam nevojë, kam përparësi në rast nevoje’’, tha ai.
Ndërkaq bazuar në të dhënat e Transfuzionit të Gjakut, numri i dhuruesve të gjakut në Kosovë nga viti në vit është rritur. Dhuruesit e gjakut janë të moshave të ndryshme dhe grupeve të ndryshme të gjakut.