QEVERIA MIRATON MASAT E REJA, NDALOHEN DASMAT

- in Lajme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka konfirmuar se nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen ahengjet, si fejesat dhe dasmat, ndërsa nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambientet e mbyllura apo në transportin publik pa maskë.

Pas mbledhjes së qeverisë, në konferencën për media, ani pse nuk sqaroi propozim-vendimin para kabinetit, Vitia tha se të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë edhe qytetarët tanë, do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit ose testi negativ.

Vitia theksoi po ashtu se gastronomët do të lejohen të punojnë deri në orën 22:30 me vendimin e fundit të qeverisë.

Vitia: Nga 20 gusht mbyllen klubet e natës dhe dasmat

“Në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa që vënë në pah mbi të gjitha shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës. Nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet si fejesat, dasmat e tjerë. Nga momenti i publikimit të këtij vendimi në gazetën zyrtare do të shkurtohet orari i gastronomisë. Nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambientet e mbyllura apo në transportin publik pa maskë, edhe pse kjo ka qenë nga masat paraprake, por tani do të rritet mbikëqyrja dhe monitorimi. Të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë edhe qytetarët tanë, ku do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit, testi negativ”, thotë Vitia.

Ministria Vitia ka sqaruar se edhe dasmat janë ndaluar, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, ndryshe nga çka ishte paralajmëruar mbrëmë nga vetë ai në një konferencë për media se dasmat do të lejoheshin, por vetëm me orar të shkurtuar e me numër të kufizuar mysafirësh.

Vitia: Pas konferencës së mbrëmshme kemi vendosur me i ndaluar dasmat

“Dje menjëherë pas konferencës për media që kam pasur në MSH, kam qenë prapë në kontakt me grupet e interesit dhe me ekspertët nga IKSHPK e brenda MSH-së, ku kemi ardhur në një përfundim se edhe disa aktivitete tjera për shkak të projeksioneve të cilat na janë paraqitur për rritjen e numri të infektuarve, kanë ardhur edhe disa propozime që të ndalohen edhe disa aktivitet të tjera siç janë ahengjet dhe dasmat”, ka thënë Vitia.

Kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes, ka ftuar qytetarët që të vaksinohen kundërCOVID-19. Kurti shtoi se marrja e masave të reja është e domosdoshme që të ruhet shëndeti publik.

Kurti: Jemi të detyruar të ndërmarrim masa të reja antiCOVID-19

“Përkundër asaj se vaksinimi po shkon mirë, e kemi të detyrueshme që të marrim masa të reja, të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe në këtë mënyrë ta ruajmë shëndetin publik. Distanca fizike, e maskat, e higjiena personale është e domosdoshme, por detyrë mbi detyrat për të gjithë neve si qytetarë të përgjegjshëm është vaksinimi. Vaksina ka, mund të zgjidhet lloj i saj, vetëm se duhet të merret. Pra, nuk kemi të vdekur nga varianti delta që paraprakisht janë vaksinuar. Ata që janë vaksinuar, po, ka raste të tilla kur janë infektuar me versionin delta, mirëpo e kanë kaluar shumë me lehtë”, theksoi Kurti.

Ndërsa, ministri Financave Hekuran Murati, theksoi se do të mbështesin çdo vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, si rrjedhojë e këtyre masave, qoftë edhe për mbështetje të stafit shëndetësor.

Murati: Ne qëndrojmë parapa çdo vendimi, qoftë edhe për mbështetjen e stafit shëndetësor

“Ne si ministri e Financave, qëndrojmë prapa çdo vendimi dhe çdo kërkese të Ministrisë së Shëndetësisë qoftë për mbështetjen e stafit shëndetësor, apo edhe për barna esenciale kur do që është e nevojshme, menaxhimin e dhe luftimin e pandemisë e kemi prioritet ashtu edhe siç e kemi cekur në programin qeverisës”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka miratuar kërkesën e MSH-së për angazhimin e përkohshëm të 1.116 profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre të tjerë shtesë, si pjesë e luftimit të pandemisë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 2000 raste të reja./KP