HARADINAJ: KOSOVA TË JETË VULLNETARE NË STREHIMIN E DISIDENTËVE AFGANË

- in Lajme

Kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duke komentuar liamin për strehimin e afganëve në Kosovë, ka thënë se Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuan shtetasit e Kosovës nga Siria.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me më shumë vende, sesa ato që ishin bërë publike, për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, kanë deklaruar katër zyrtarë amerikanë për agjencinë Reuters.

Kosova dhe Shqipëria janë vendet me të cilat ka diskutuar administrata amerikane, sipas Reuters, nga të cilat ka kërkuar që të strehojë afganët e lidhur me SHBA-në derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.

Këto burime i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Qeveria e Kosovës ende nuk janë përgjigjur lidhur me këto informacione./KP