Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se Serbia sot eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej një milion euro në ditë, mallra këto që i blen Kosova.
Ai në emisionin Prime të RTK-së ka thënë se kjo shënon edhe fundit e tarifave ndaj Serbisë.
“Është rritur eksporti nga Serbia që shënon 1 milion euro në ditë, paramendojeni, 1 milion euro në ditë mallra të Serbisë i blen Kosova. Të gjitha këto janë tregues, nuk janë rastësi që u hoqën edhe tarifat e fundit mbrojtëse për bllokat për ndërtim”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se deklaratat e ministres Rozeta Hajdari, përkatësisht Qeverisë Kurti për ta arsyetuar heqjen e kësaj tarife, vetëm sa e konfirmojnë sipas tij, budallaqet që kanë bërë.
“Nuk kam arritur ta kuptoj pse Kosova ka nevojë të bëhet aq e mirë me Serbinë për ta hequr masën damping ndaj bllokave të Serbisë. Nuk e kuptoj kryeministrin Kurti ku e ka këtë interes. Ministrja e Qeverisë Kurti me deklaratat e saj po e konfirmon budallakinë që e ka bërë kjo qeveri, sepse po thotë që bllokat po shiten te ne më lirë se në Serbi, ndërsa i themi ministres se ato shiten më lirë sepse kanë damping, sepse shteti i jep pare atje në mënyrë që me i sjellë te ne më lirë. Pra, Qeveria Kurti të vetmen mundësi që e pengon mos me i sjellë ato në Kosovë, ia ka heq”, ka deklaruar Haradinaj./KP