Kosova do të vazhdojë të përballet me mot të nxehtë dhe me vapë. Temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 31 dhe 36 gradë Celsius.
Deri të mërkurën ka mundësi që të ketë ndryshim të motit, por jo në gjithë territorin.
Javën e kaluar kishte reshje në jug dhe jugperëndim të vendit, ndonëse kishte parashikime të ketë reshje edhe në pjesët tjera të territorit, por prezenca e masave të fuqishme të ajrit nga perëndimi i vendit, i ndryshuan kushtet meteorologjike duke i zhvendosur vranësirat rrëzë maleve.
Reshje shiu në formë rrebeshi kishte kryesisht në malet e Sharrit, përfshirë fshatrat e rrethit të Dragashit e deri në pjesën jugore të qytetit të Prizrenit, kurse pjesa tjetër e territorit mbeti nën ndikimin e masave të ajrit me presion të rritur atmosferik, vranësira të paqëndrueshme dhe rreze dielli.
Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36 gradë Celsius.
Indeksi i rrezeve ultraviolet (UV) mbetet i lartë, andaj qytetarët këshillohen që nga ora 10:00-17:00 të shmangin kontaktin direkt me rrezet e diellit ose të mbajnë masa mbrojtëse. Do të fryjë erë nga juglindja dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.