MESSI LARGOHET NGA BARCELONA, JA 10 MOMENTET MË TË MIRA TË KARRIERËS SË TIJ (VIDEO)

- in Sport

Pas 21 vitesh bashkëpunimi, 778 ndeshjeve dhe 672 golave, legjenda e Barcelonës Lionel Messi nuk do të rikthehet më në stadiumin “Camp Nou”.

Barcelona e bëri zyrtare dje largimin e Messit, duke treguar arsyen me të cilën akuzon rregulloren financiare të La Ligas, përcjell KosovaPress.

34 vjeçari Messi u bë lojtar i lirë më 30 qershor, kur edhe i skadoi kontrata e tij me Barçën, por krerët e kësaj të fundit gjithmonë deklaronin që ylli argjentinas do të vazhdojë të ardhmen e tij me ta.

Barcelona lëshoi një komunikatë për media në të cilën shkruhej: “Të dy palët janë tejet të dëshpëruara që dëshira e lojtarit dhe e klubit tonë nuk do të bëhet realitet”.

Dhe me këtë lajm, aventurës së Messit tek Barcelona i vjen fundi, dhe më poshtë mund të gjeni 10 momentet më të mira në karrierën e tij.

Goli i parë me Barcelonën

Më 1 maj të vitit 2005, nga një asistim i Ronaldinhos, 16 vjeçari Messi fillimisht e lë topin të kërcejë para se të gjuajë në portë dhe të shënoj golin e tij të parë në karrierë me Barçën kundër Albacetes Golin e gjeni më poshtë.

https://www.youtube.com/watch?v=e2Td4-YfQ7k

Hat-trick i vitit 2007 në “El Clasico”

Pas dy vitesh që nga debutimi i tij, tifozët e shihnin si njërin ndër tinejxherët më të talentuar të botës së futbollit. Në vitin 2007 në “El Clasico”, Messi e shpëtoi Barcelonën nga humbja kundër rivalit të përbetuar Real Madridit, duke shënuar tre gola dhe duke ia siguruar barazimin skuadrës së tij.

Super-goli kundër Getafes

Pas një muaji nga heroizmi i tij në “El Clasico”, Messi shënoi një gol e cila ishte e ngjashme me një gol të shënuar nga Diego Maradona. Në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit kundër Getafes, Messi merr topin nga Xavi në mesfushë dhe fillon të lë pas me driblim lojtarët kundërshtarë, duke i kaluar pesë dhe në fund duke shënuar në portën e Getafes. Ky gol ishte shpallur si goli më i mirë në histori të Barcelonës, ku të nesërmen mediat e etiketuan me nofkën “Messidona”. Golin e gjeni më poshtë.

Goli me kokë në Ligën e Kampionëve kundër Manchester United

Golat me kokë nuk janë specialiteti i Messit, ku deri sot gjatë karrierës së tij ka regjistruar 20 sosh. Por padyshim , një nga golat më të rëndësishëm dhe më të veçantë, ishte ai në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2009 kundër Manchester United, ku shënoi me kokë për 2:0 nga një asistim i mesfushorit Xavi, duke e lënë të shtangur mbrojtësin Rio Ferdinand. Golin e gjeni më poshtë.

Goli në finalen e Wembley-t

Dy vite pas takimit të tyre, Barcelona përsëri u përball me Manchester United në finale të Ligës së Kampionëve, kësaj radhe në stadiumin “Wembley”. Messi kishte dështuar të shënoj gol në tetë ndeshjet e fundit në terrenin anglez, dhe në finale, nga një distancë prej 25 metrave, Messi lëshoi një goditje në portën e Van der Sar duke shënuar gol, ku më pas pranoi edhe medaljen e tij të tretë të Ligës së Kampionëve. Golin e gjeni më poshtë.

https://www.youtube.com/watch?v=SdtqxrVLXM8

Pesë gola kundër Bayer Leverkusen

Messi u bë lojtari i parë në histori që ka shënuar pesë gola në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, ku edhe ishte një nga paraqitjet e tij më të bukura në botën e futbollit. Pavarësisht faktit që Barcelona ishte në epërsi prej 3:1 nga ndeshja e kaluar, në ndeshjen e kthimit Messi shënoi pesë gola, ku edhe kishte thënë që nuk do të mund të zgjidhte golin më të bukur nga të pestit që i kishte shënuar.

Thyerja e rekordit të Gerd Muller

Rekordi për më së shumti gola në një vit kalendarik mbahej nga Gerd Muller për më shumë se katër dekada, ku gjermani kishte shënuar 85 sosh. Ky rekord dukej i pathyeshëm, por në vitin 2012, Messi ishte në një tjetër nivel, ku regjistroi 91 gola në 69 ndeshje për Barcelonën dhe Argjentinën.

Rekordi i golave në La Liga

Pas më pak se një dekade në La Ligan spanjolle, Messi theu rekordin e golave të shënuar nga një lojtar, dhe këtë gjë e bëri duke shënuar hat-trick. Në fitoren 5:1 kundër Sevillas, ai barazoi shifrat prej 251 golave të Telmo Zarra dhe më pas arriti edhe ta kalojë atë shifër.

Goli numër 500 në “Santiago Bernabeu”

Nëse ekziston mundësia për të zgjedhur se si të shënosh golin e 500 në karrierë për klubin tënd, padyshim që do të ishte në stadiumin e rivalit të përbetuar, dhe këtë gjë e kishte bërë Messi në prill të vitit 2017. Në minutën e 85’, kur ndeshja ishte drejt barazimit 2:2, nga një asistim i Jordi Albas, Messi shënon golin e fitores, dhe e feston atë duke e zhveshur fanellën dhe duke e mbajtur para tifozëve madrilen. Golin e gjeni më poshtë.

650 gola për Barcelonën

Në fillim të vitit 2021, Messi theu rekordin e Peles për më së shumti gola të shënuar për një skuadër, gjithsej 643 sosh. Më pas, Messi arriti ta tejkalojë atë rekord duke e shënuar golin e tij të 650 nga një goditje dënimi kundër Athletic Bilbaos.

Messi largohet nga Barcelona me një rekord të ri golash, ku ka shënuar 672 sosh në karrierën e tij për “Blaugranët”./KP