BEKË BERISHA E QUAN KURTIN “ZOTËRI HEGEL”

- in Lajme

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për siç tha ai, mos përkrahje të fermerëve sidomos atyre të cilët u dëmtuan nga vërshimet.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Berisha ka kërkuar nga ministri që të tregojë si do të ndihmohen fermerët.

Berisha: Çka do të ndodh me grantet dhe subvencionet për fermerët

“Çka ka ndodh me subvencione dhe grante të fermerëve, a je interesuar dhe pse e ndalove ndihmën për ta, është viti i parë pas lufte që bujqit nuk kanë aplikuar për grante edhe që ish dashur të shpërndahen grantet dhe subvencionet për ta… Zoti ministër unë ty kam prit me të pa me çizme duke i vlerësuar dëmet dhe duke i ndihmuar, por ty si duket po të pëlqen zyra, asistentët, kerret e këto që po i bënë, në këto pyetje kam qejf me mu përgjigje ministrat, as ju shokët këtu përballë, por as ‘zotëri Hegel’ por ju dy me tregoni saktë çka ka ndodh me këto sene”, tha Berisha.

Në përgjigjen e tij, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësitë që të rritet përkrahja për fermerët.

Peci: Fermerët këtë vit do të përfitojnë 26.3 milionë euro në kategorinë e subvencioneve

“Nuk është e vërtetë që Ministria e Bujqësisë nuk është në përkrahje të bujqve, në vitet e fundit, në pesë gjashtë vitet e fundit, shuma vjetore e përkrahjes për këta fermerë ka variuar prej 23 milionë deri në 25 milionë ndërsa këtë vit fermerët nga buxheti i këtij viti do të përfitojnë vetëm në kategorinë e subvencioneve 26.3 milionë euro dhe ne jemi duke i shqyrtuar të gjithë mundësitë që të rritet kjo shifër e përkrahjes”, ka thënë Peci.

Megjithatë, deputetit Berisha nuk i ka pëlqyer përgjigja e ministrit.

Berisha: Ministri i Bujqësisë të tregojë çka ka bë në praktikë për t’i përkrahur fermerët

“Sa i përket kësaj përgjigjes tuaj zoti ministër i Bujqësisë, unë me pas dashur përgjigje këso ‘kili mili’, ‘fizibiliteti, çfizibilieti’, e kisha vet ‘Hegelin’, ti veç më tregon mu, kur ua qet subvencionet, ku je kanë, çka ke bë praktikisht, unë di kënd e veti për fjalë e këso”, tha Berisha./KP