90 PERSONA QË DYSHOHET SE U HELMUAN NË DEÇAN U TRAJTUAN NË SPITALIN E PEJËS, 62 NGA TA FËMIJË

- in Shëndetësi

90 persona që dyshohet se u helmuan në Deçan u trajtuan në Spitalin e Pejës, 62 nga ta fëmijë

Që nga e shtuna 90 persona të cilët dyshohet që u helmuan nga uji në Komunën e Deçanit kanë marrë trajtim spitalor në Spitalin e Pejës. 62 nga ta kanë qenë fëmijë dhe 5 të tjerë po vazhdojnë të jenë të shtrirë në Repartin e Pediatrisë në këtë spital.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Zëdhënësi për informim në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Naim Sahiti, derisa ka treguar edhe se dy personat që dyshohet se kanë vdekur nga helmimi kanë shkuar pa shenja jetë në këtë spital.

Sahiti: 90 persona kanë kërkuar trajtim në Spitalin e Pejës“Që nga dita e shtunën në Spitalin e Pejës ka pasur ardhje të rasteve të helmimit nga komuna e Deçanit, prej ditës së shtunë e deri tani që po flasim i kemi pasur 90 raste të tilla që kanë kërkuar dhe kanë marr trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Nga ky numër 5 janë të hospitalizuar ndërsa pjesa tjetër janë liruar pas trajtimit shëndetësor”, tregoi Sahiti për KosovaPress.

Sahiti tregoi se gjendja e pesë pacientëve të shtrirë është stabile, dhe të gjithë janë fëmijë.

Nga 90 pacientët e shtrirë si pasojë e helmimit në Deçan, 62 prej tyre janë fëmijë të shtrirë në repartin e Pediatrisë.

Sahiti: Gjenda e pacientëve është stabile, shumica kanë qenë fëmijë

“Gjendja e tyre është stabile pacientët kryesisht kanë qenë të moshës minore dhe kanë qenë në repartin pediatrik shumica dërrmuese janë fëmijë…ka pasur disa raste qe kanë ardhur këtu për shkak të simtomatologjisë në të rëndë apo edhe vetë përzgjedhjes së pacientëve kryesisht kanë qenë diarre, vjellje si simptoma[…]diku 62 kanë qenë fëmijë që kanë qenë në repartin pediatrik”, theksoi Sahiti.

Lidhur me dy vdekjet e dyshimta që ndodhen në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Sahiti tha se të dy pacientët ishin pa shenja jete dhe vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Sahiti: Të dyja rastet kanë ardhur pa shenja jete, vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar

“Ajo çka mund të themi ne është se Spitalin e Përgjithshëm të Pejës të dyja këto raste kanë ardhur pa shenja jete vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku kujdestar por pastaj organet tjera gjegjëse janë ato qe përcaktojnë shkaktarët e vdekjes”, tha ai.

Sahiti theksoi se Spitali i Pejës ka qenë i furnizuar me terapinë e nevojshme për trajtim të pacientëve të helmuar.

Sahiti: Pjesën dërrmuese të terapisë e kemi pasur

“Ne nuk kemi qëndruar keq për atë pjesë të terapisë që kanë kryesore për këto raste pjesën dërrmuese e kemi pasur[…]varësisht prej rasteve dhe simptomave kanë qenë ushqime artificiale, ineksione”, u shpreh zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.

Në 24 orët e fundit me simptoma të njëjta trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Deçanit kanë kërkuar 310 paciente, ndërsa vetëm sot deri në mesditë janë trajtuar 55 qytetarë. Në total shifrat e personave të helmuar ka shkuar në 1 mijë 62. Këto të dhëna i ka bërë te ditura drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha. Rastet e para të helmimit në këtë komunë janë shënuar më 10 korrik të këtij viti. /KP