Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, të mërkurën më 7 korrik në Kosovë do të arrijë për një vizitë gjenerali amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, Wesley Clark.
Lajmi është bërë i ditur sot nga ministri Mehaj përmes një postimi në Facebook.
“Në këtë ditë të veçantë, kur po festojmë 4 Korrikun- Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se me ftesën time zyrtare, më datën 7 korrik, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të vijë në vizitë gjenerali historik amerikan, heroi ynë Wesley Clark”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka bërë të ditur se gjeneral Clark do të pritet me nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe atë të protokollit shtetëror dhe do të pritet nga të gjithë liderët tanë më të lartë shtetëror.
“Mirë se vjen në shtëpinë tuaj pranë njerëzve që të duan aq shumë, gjeneral Clark! Mirë se vjen në Kosovën dhe qytetarët e saj të bekuar me ty dhe SHBA-në! Zoti e bekoftë përjetësisht miqësinë e Kosovës me SHBA-në”, ka shkruar Mehaj./KP