Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka kërkuar që në seancën e re të Kuvendit që do të mbahet javën që vjen të bëhet debat parlamentar për marrëveshjet e arritura më 4 shtator të vitit të kaluar në Washington.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit para gazetarëve tha se në seancë duhet të jetë edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti i cili kishte nënshkruar marrëveshjet me ish-presidentin amerikan, Donald Trupm.
Gashi: Kërkuam debat parlamentar për marrëveshjet në Washington
VIDEO
“Në seancë do të jetë edhe një debat parlamentar i kërkuar nga LDK lidhur me marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Ëashington mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ish-presidentit të ShBA-së. Ne presim që të shohim se cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë marrëveshje, cilat janë veprimet që i ka marrë në lidhje me këtë marrëveshje dhe cilat janë mosveprimet dhe shkaku i mosveprimeve[…]ne jemi të gatshëm që të mërkurën në seancë të diskutojmë dhe debatojmë dhe presim që prezent të jetë edhe Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti”, tha Gashi.
Ndërsa sa i përket shkarkimit të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, që do të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e radhës, Gashi tha se janë vendime të gabuara dhe politike.
Gashi: Shkarkimi i bordit të RTK-së politik, një praktikë e rrezikshme
VIDEO
“Janë vendime dhe veprime të gabuara dhe në kundërshtim me ligjin dhe janë antikushtetuese. Këto veprime që po i ndërmerr qeveria është precedent i rrezikshëm për të ardhmen sepse demokracia bazohet kryesisht në ligje, kushtetutë dhe në rregulla e procedura. Këta po thonë se nuk duam me respektu procedurat dhe ligjet sepse jemi shumicë dhe vendosim si duam[…]nëse dikush supozojmë që në bordin e RTK-së ka bërë ndonjë faj nuk mundesh me shkarku krejt bordin, vlerësimi është krejtësisht politik dhe dëmi është ligjor dhe kjo është një praktikë e rrezikshme e cila nuk ka qenë më herët në Kosovë”, është shprehur Gashi./KP