MBI 14 MILIONË EURO BIZNESEVE PËR AFTËSI KONKURRUESE

- in Ekonomi

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka lansuar programin e granteve të përputhshme, i cili synon të përmirësojë aftësinë konkurruese të bizneseve kosovare duke kontribuuar në rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës pas pasojave të COVID-19.

Ministrja Rozeta Hajdari tha se qëllimi i projektit është mbështetja me grante të përputhshme (bashkëfinancuese) për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme eksportuese ose me potencial eksporti nga sektori i prodhimtarisë dhe shërbimeve.

Ajo po ashtu theksoi se projekti i financuar nga Banka Botërore që parasheh 14.3 milionë synon t’i mbështesë bizneset me synim të konkurrueshmërisë për eksport, ndërsa përmes këtij programi bizneset mund të përfitojnë nga 5 mijë deri 100 mijë euro.

Hajdari: Objektivi kryesor është të mbështes ndërmarrjet mikro të vogla dhe të 

“Ne tani po e lansojmë programin i cili është financuar nga Banka Botërore dhe objektivi kryesor është të mbështes ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme me potencial për eksport që t’i përmbushin kërkesat për zbatimin e standardeve dhe certifikimin e produktit të kërkuar për tregjet e eksportit, për të blerë pajisje, makineri të prodhimit. Po ashtu për t’i rritur aftësitë për gatishmëri për eksport”, theksoi Hajdari.

Ajo po ashtu theksoi se programi ka për qëllim të përkrahë bizneset në digjitalizim, në implementimin e standardeve si dhe rezultat në certifikimin e produkteve me standardet relevante.

Hajdari: Granti synon të përkrah qasjen në shërbimet e zhvillimit të biznesit

 

“Po ashtu ky grant synon të përkrah qasjen në shërbimet e zhvillimit të biznesit, në trajnime dhe po ashtu të përkrah ato për pajisje të vogla për përmirësim digjital. Është me rëndësi të përmendi se si aktivitet i mbështetjes së biznesit që do të financohet nga program i granteve të përputhshme, mund të lehtësoj qasjen e njohurive për fushat kritike për t’iu përgjigjur pandemisë Covid-19”, theksoi Hajdari.

Ndërsa, Blerta Qerimi nga Banka Botërore, tha se programi ofron grante për blerjen e makinerive prodhuese, pajisjeve që përdoren për vlerësimin e konformitetit, pajisjeve të vogla për avancim digjital dhe shërbimeve për mbështetjen e bizneseve.

Qerimi: Projekti ka për qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit

“Projekti në përgjithësi ka dy qëllime kryesore për përmirësimin e mjedisit të biznesit përmes reformës të sistemit të inspektimit të bizneseve dhe aktiviteti tjetër është ky aktivitet për të cilin do të flasim sot, është skema e granteve për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme”, theksoi Qerimi.

Në këtë aktivitet ishin prezent disa përfaqësues të bizneseve të cilët shprehen interesim për kriteret rreth aplikimit. Kurse, thirrja publike për aplikim është 30 ditë./KP