ENDRIT KRASNIQI FLET PAS FINALES ME INTER ESCALDES, DËSHIRON SUKSESE TJERA

- in Sport

Mesfushori i Prishtinës Endrit Krasniqi ka folur mbrëmë pas finales së fazës preliminare të Ligës së Kampionëve kundër Inter Escaldes, të cilën “Plisat” e fituan falë dy golave të tij.

Krasniqi në këtë turne, regjistroi tre gola dhe një asistim, respektivisht një gol dhe një asistim kundër Folgores, dhe dy gola kundër Inter Escaldes, kështu duke e ndihmuar Prishtinën drejt plasmanit në fazën eliminatore, përcjell KosovaPress.

Mesfushori 26 vjeçar tregoi se sa rëndësi kishte kjo ndeshje për klubin, ku edhe shprehu dëshirën për të arritur suksese të tjera.

“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për klubin. Gjatë gjithë vitit kemi punuar për të ardhur këtu, ku kemi kaluar vetëm fazën paraeliminatore”, tha Krasniqi.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të mbetemi kështu si grup që jemi tani, sepse kjo është forca më e madhe e ekipit. Shpresojmë të vazhdojmë dhe të arrijmë edhe suksese tjera”, shtoi mesfushori i Prishtinës./KP