Me ftesë të komandantit të KFOR-it, gjeneral major Franco Federici, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama u takuan në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it me komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneral Tod D. Wolters.
Me këtë rast, ministri Mehaj falënderoi gjeneralin Wolters për angazhimin e trupave të NATO-s në kuadër të misionit të KFOR-it në funksion të sigurisë së përgjithshme në vend dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
Për më tepër, ministri Mehaj shprehu vlerësimin e tij për kontributin dhe angazhimin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) në zhvillimin dhe përparimin e FSK-së në të gjitha aspektet.
Gjithashtu, ministri Mehaj informoi gjeneralin Wolters për arritjet e përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, qëllimet dhe objektivat e tij, si dhe shkallën e ndërtimit të aftësive dhe kapacitetet operacionale në përputhje me planin e tranzicionit të FSK-së.
Ai shprehu mirënjohje për mundësinë e dhënë që FSK-ja të marrë pjesë së bashku me forcat amerikane në operacionet e stabilitetit jashtë vendit si dhe pjesëmarrjen në stërvitjen “Defender-Europe 21”, me vullnetin që angazhimi i FSK-së në operacione të ngjashme të rritet në të ardhmen, duke kontribuuar në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në botë.
Nga ana e tij, gjeneral Rama, e informoi gjeneralin Wolters për zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, sipas standardeve të NATO-s, në mënyrë që të jetë e ndërveprueshme me forcat e vendeve anëtare të Aleancës.
Gjenerali Wolters shprehu vlerësimin për arritjet e deritanishme të FSK-së dhe kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm, teksa përsëriti angazhimin e NATO-s për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon./KP