Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar para mediave në hyrje të pallatit Elysee të Francës.
Kurti deklaroi se ka nderin që të pritet nga presidenti francez, Emmanuel Macron duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e fokusuar në ndërtimin e një shteti të së drejtës.
“Është privilegj dhe përgjegjësi për mua që si kryeministër i një vendi më të ri të Evropës të jem para Pallatit Presidencial Francez për t’iu garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë mes aspiratave evropiane dhe demokratike. I nderuari z.president dua të ju shpreh edhe njëherë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë qeveritare që vendoset në kuadrin e Aleancës Veri Atlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët. Ne jemi të ndërgjegjshëm se pas rënies së murit të Berlinit konfliktet nën federatat arbitrare do të binin mbi popuj që dilnin prej kampit komunist si popuj të nën përfaqësuar. Dhe populli më i nën përfaqësuar në Ballkan ishin ne. Ne besojmë se cilësia e përfaqësimit të një populli nuk duhet të merret peng nga gjendja që krijon një rrethanë e padrejtë historike”, tha ai.
Kurti po ashtu siguroi presidentin Macron se Kosova është e fokusuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe për këtë tha se do të angazhohen maksimalisht.
“Ne besojmë se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejt. Tanimë realiteti i ri ka përbërës të ri. Ju siguroj z.president se ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos me ardhjen e presidentit amerikan dhe bisedat që pati me udhëheqësit e shteteve evropiane me udhëheqësit e Evropës apo edhe me gjerë. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Një situatë e menduar më mirë me pjesëmarrje më të artikuluara, më të drejtë peshuara dhe me një besim më të lartë. Dhe në një situatë të tillë ne do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona. Edhe në rajon me marrëdhënie të mira fqinjësore edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane”, tha ai. /KP