KOSTOJA E MBULIMIT TË KARTONIT TË GJELBËR PËR BASHKATDHETARËT PRITET TË JETË DERI NË 6 MILIONË EURO (VIDEO)

- in Lajme

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për mbulimin e kartonit të gjelbër për të gjithë bashkatdhetarët që vijnë në Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se nga 1 korriku e deri më 31 dhjetor të gjitha shpenzimet për sigurimin e veturave në kufi do t’i paguaj qeveria, e që pritet të jenë rreth 6 milionë euro.

Murati: Supozimet janë 5-6 milionë euro

 

(Video)

 

“Kostoja përfundimtare mbetet tek në fund, meqenëse kemi të bëjmë me një dinamik të shtuar të ardhjes së bashkatdhetarëve. Supozimet apo projeksioni është që të jetë 5-6 milionë euro”, ka deklaruar Murati.

Sa i përket, masave ekonomike, Murati bëri me dije se janë duke punuar për një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike.

Po ashtu në mbledhjen e Qeverisë sot është bërë miratimi i Projektligjit për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor dhe Projektligji për krijimin e Odës së arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Këto po cilësohen nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si të rëndësishme dhe esenciale për fushën e planifikimit dhe ndërtimit.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ministri Aliu tha se janë këto dy ligje esenciale që lidhen me zhvillimin ekonomik në vend, por edhe me kualitetin dhe cilësinë e ndërtimit në Kosovë.

Aliu: Ky është një projekt i madh dhe i rëndësishëm për fushën e planifikimit

 

Video

 

“Nëse do të donim të flisnim për një zhvillim të qëndrueshëm ku harmonia mes mjedisit dhe zhvillimit ekonomik dhe në aspektet sociale, kjo mund të imagjinohet vetëm me planifikim të mirëfilltë… Prandaj, me miratimin e këtij projektligjit, menjëherë ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të filloj themelimin e ekipeve të cilët do të ndërtojnë databazën. Ky është një projekt i madh dhe i rëndësishëm për fushën e planifikimit. Po ashtu ajo çka ka ngecur prej kohësh tek ne është licencimi i arkitektëve dhe inxhinierëve. Pra, në kemi ndërtime të shumta, procesi i ndërtimit dhe zgjerimit urban në të gjitha komunat e Kosovës po ndodhë në mënyrë ta pandalshme. Ky zhvillim i madh kërkon edhe kontroll të cilësisë, e një ndër nyejt e rëndësishme të kontrollit të cilësisë është edhe licencimi i profesionistëve”, tha Aliu.

Ekzekutivi po ashtu ka miratuar propozimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që në vend të kryesues së bordit, Dafina Gexha të emërohet Burbuqe Nushi./I.Shabani/

/KP