Facebook njofton se Rusia është përhapësi kryesor i dezinformimit dhe propagandës në internet.
Sipas raportit më të ri të këtij rrjeti social për kërcënimet online, pas Rusisë po ashtu Irani synon të bëjë manipulimin e opinionit publik.
Studiuesit e Facebookut shumicën e operacioneve ruse e lidhin me Agjencinë e Kërkimit në Internetit (IRA) që ka qendrën në Shën Petersburg, e cila nga inteligjenca amerikane ishte akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016.
“Strategjia e gjerë e sigurisë së Facebookut kundër operacioneve të ndikimit u zhvillua në përgjigje të ndërhyrjeve të huaja nga akterët rusë në vitin 2016”, thuhet në raport.
Gjithashtu, ky raport gjen lidhjen e dezinformatave me inteligjencën ushtarake ruse.
Sipas Facebookut, sulmet dezinformuese ruse u përqendruan kryesisht në vendet fqinje dhe pjesërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga operacionet në Meksikë.
“Përpjekjet e Rusisë për dezinformim në internet brenda SHBA-së ishin kryesisht të lidhura me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, zgjedhjet për Kongresin në vitin 2018 dhe zgjedhjet presidenciale të 2020-së”, vijon raporti.
Operacioni rus me qendër në Meksikë bëri shkrime mbi feminizmin, identitetin hispanik dhe “Black Live Matters”.
“Nuk kemi parë prova të mjaftueshme për të pretenduar se ky operacion shtrihet përtej individëve nga Meksika, por në zbulimin e publikut, FBI ia atribuoi këtë aktivitet Agjencisë Ruse të Kërkimit të Internetit”, përfundon Facebook.
Gjetjet e këtij studimi bazohen në raporte të botuara më parë nga hulumtuesit e Facebookut mbi fushatat dezinformuese dhe propaganduese që ndodhën midis viteve 2017 dhe 2020./KP