Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Ines Muqostepa pjesëmarrëse në konferencën rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” që po mbahet në Prishtinë, theksoi se qeveritë e tri vendeve duhet t’i kenë prioritet interesat ekonomike dhe të qytetarëve para interesave politike.
Muqostepa tha se vullneti dhe angazhimi politik janë parakusht për çdo bashkëpunim të frytshëm.
Derisa shtoi se padyshim që lëvizja e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve përtej kufijve do të ndikonte në rritjen e vendeve të punës dhe do të sillte prosperitet, por sipas saj për këtë nevojitet vullnet politik.
Muqostepa: Nevojitet një vullnet i fortë politik për të përmbushur thirrjet ekonomike
“Për këtë nevojitet një vullnet i fortë politik për të përmbushur thirrjet ekonomike, të zhvillimit, arsimit dhe migracionit në Ballkanin perëndimor, dhe për të hartuar politika dhe nxitjen e angazhimit që do të përqendrohet në forcimin dhe përmirësimin e përvojës së jetuar të qytetarëve… Ne i nxisim qeveritë tona që të punojnë në ndërtimin e zinxhirëve të furnizimit në çështje të ndjeshme, duke përfshirë furnizimet mjekësore e farmaceutike duke inkurajuar prodhimin vendas e rajonal… Është një domosdoshmëri për qeveritë tona në rajon për të planifikuar dhe bashkëpunuar ngushtë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe me projete të zbatueshme… Objektivi është që ekonomitë tona të jenë pjesëmarrës të plotë në tregun e përbashkët evropian”, tha ajo.
Në këtë Konferencë të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, në bashkëpunim me partnerët e saj po marrin pjesë shumë personalitete nga politika dhe biznesi nga vendi dhe rajoni. /I. Shabani/KP